Tahiri: Liria kurrë s’ka mund të digjet nga tytat e topave të Serbisë në të kaluarën

Prishtinë | 17 Nën 2020 | 16:47 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka reaguar pas shkatërrimit të banerit “Liria ka emër” në Graçanicë.

Tahiri tha se kjo është shenjë që edhe sot e kësaj dite në Kosovë, Serbia ende investon në provokim e nxitje të kauzave të saj mbi kurrizin e lirisë sonë.

“Liria kurrë s’ka mund të digjet e ndalohet si fakt e si proces, nga tytat e topave të Serbisë në të kaluarën. Ajo nuk mund të digjet e ndalohet si simbolikë as sot nga përpjekjet tinëzare të Beogradit”, ka shkruar Tahiri.

Postimi i plotë:

Djegia e materialit simbolik, apelues e manifestiv të një prej kauzave më të ndritura politike të qytetërimit në përgjithësi dhe kombit tonë në veçanti, siç është liria, për më tepër në një ambient publik e të destinuar për publikim, është shenjë se në Kosovë edhe sot e kësaj dite Serbia investon në provokim e nxitje të kauzave të saj mbi kurrizin e lirisë sonë.

Përkundër se në shoqërinë tonë multietnike, secili komunitet kultivon hapur e pa pengesë simbolet e veta të veçanta, djegia e banerit simbolik të lirisë si vlerë e përbashkët e të gjithëve, është fyerje dhe tendencë për ta përbuzur një të vërtetë që s’mund të përbuzet.

Liria kurrë s’ka mund të digjet e ndalohet si fakt e si proces, nga tytat e topave të Serbisë në të kaluarën. Ajo nuk mund të digjet e ndalohet si simbolikë as sot nga përpjekjet tinëzare të Beogradit.

Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe për këtë kemi punuar vazhdimisht. Por liria jonë, emrin e ka të vulosur në kauzën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër regjimit shtypës e gjenocidial të Millosheviqit. Një cenim i lirisë si simbolikë, është cenim i vlerave tona kushtetuese e multietnike si realitet.

Liria ka emër. UҪK.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme