Tahiri: Nuk do të lejojmë që sistemi i drejtësisë të bëhet cak i kërcënimit

Prishtinë | 24 Maj 2019 | 17:59 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri shpreh indinjatën e tij lidhur me kërcënimin që sot organet e drejtësisë kanë marrë. Përmes një deklarate për media, ministri Tahiri kërkon që përgjegjësit sa më shpejt të sillen para drejtësisë.

 ​

Deklarata e plotë e Ministrit Tahiri:

Republika e Kosovës, institucionet e saj dhe shoqëria jonë, janë të përcaktuara për sundimin e ligjit si imperativin e patjetërsueshëm përmes së cilit përmbushen aspiratat tona kolektive e individuale.

Kërcënimi që sot morën organet e zbatimit të ligjit është akt që nuk përkon as me traditën tonë, as me kulturën tonë politike dhe as me investimet tona shoqërore për një drejtësi të mirëfilltë që është besnike e palëkundur ndaj të vërtetës.

Shpreh indinjatën time të thellë me këtë akt dhe ndaj kujtdo që qëndron prapa tij, i cili sot ka pretenduar të vë në test vullnetin e pa lëkundur të institucioneve të sistemit të drejtësisë për të zbatuar ligjin në përpikërinë e tij.

Tentativa e sotshme përmes kërcënimit është e papranueshme dhe duhet të marrë përgjigjen e merituar.

Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që sistemi i drejtësisë dhe gardianët e tij të bëhen cak i kërcënimit nga personat e papërgjegjshëm, kushdo qofshin ata.

Pres nga organet e drejtësisë që të sjellin para përgjegjësisë autorin e kësaj tentative që synoi të mbjellë panik në mesin e institucioneve tona, si dhe dua t’i siguroj qytetarët e Republikës së Kosovës, se institucionet e zbatimit të ligjit nuk do të ndalën së bëri punën e tyre të mirëfilltë në secilin segment që i ka mandatuar ligji.

Të ngjashme