Tahiri: Qytetarët po i zbatojnë vendimet, nuk kanë dalë parqeve për 1 Maj

Prishtinë | 01 Maj 2020 | 13:09 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Çdo vit Parku Nacional Gërmia ka qenë vendi i preferuar për të festuar 1 Majin. Mirëpo këtë vit, qytetarët janë duke i zbatuar masat e mara nga Qeveria në luftë kundër Coronavirusit dhe nuk kanë dalë në Gërmi.

Drejtori i Inspektoratit i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, në një intervistë për Ekonomia Online ka bërë të ditur se në masë të madhe janë duke u respektuar rregullat nga qytetarët për të dalë në Gërmi.

Tahiri tha se në vazhdimësi janë duke komunikuar me Inspektoratin në terren për të parë gjendjen në parqet e qytetit.

Mes tjerash, Tahiri tha se janë paraparë gjoba për të gjithë personat që nisen drejt Gërmisë.

“Në masë të madhe janë duke u respektuar rregullat dhe nuk kemi pasur ndonjë rast kur e dimë që sot është 1 maji, dhe nuk ka asnjë tentim për të dalë në Gërmi.  Nga informatat që i kemi nga Inspektorati në terren  dhe fotografitë që i dërgojnë ata në vazhdimësi Gërmia është e zbrazët, kështu që aktualisht nuk kemi probleme të tilla. Në bazë të ligjit për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit gjobat për personat fizik janë paraparë 1000 deri në 2000 euro, për persona juridik janë 3000 deri në 8000 euro kurse për personat përgjegjës janë 500 deri në 1500 euro”, shtoi Tahiri për EO.

Sipas Tahirit,  ekipet Kujdestare të Inspektorëve janë në teren edhe për mbikëqyrjen e kësaj pjese por edhe për mbikëqyrjen e zbatimit të vendimeve dhe urdhëresave tjera që janë konform  luftës kundër Coronavirusit .

Sipas tij, janë duke u respektuar në mënyrë të vazhdueshme thirrjet për qytetarët, në mënyrë  që të mos frekuentojnë parqet e qytetit.

“Ekipet Kujdestare të Inspektorëve janë në teren edhe për mbikëqyrjen e kësaj pjese por edhe për mbikëqyrjen e zbatimit të vendimeve dhe urdhëresave tjera që janë konform kësaj lufte kundër Coronavirusit  dhe nga informatat qe kemi deri tash nga tereni edhe Gërmia por edhe parqe të tjera janë të zbrazëta. Pra qytetarët po i respektojnë thirrjet tona” shtoi ai.

Tahiri tha se janë në bashkëpunim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin sanitar, të cilët bëjnë kontrolle në thuajse secilin park dhe kudo që hasin qytetarë të cilët i shkelin këto vendime mund të shqiptohen edhe gjoba.

“Ne në bashkëpunim me Policinë e Kosovës bëjmë kontrolle të vazhdueshme në thuajse secilin park dhe kudo që hasen qytetarët të cilët i shkelin këto vendime Policia e Kosovës merr masa dhe Inspektoratin sanitar në kuadër të nivelit qendror dhe nëse është nevoja shqiptohen dhe gjobat për persona fizik. Kurse ne si Inspekcion Komunal jemi të thirrur që t’i mbikëqyrim në vazhdimësi bizneset dhe të shqiptojmë gjoba ndaj tyre në rast se një gjë e tillë është e nevojshme”, shtoi ai.

Ai tha se është mirë që secili qytetarë të jetë i vetëdijshëm për çështjen sa i përket distancës, kështu që  lut të gjithë qytetarët që ti respektojnë udhëzimet dhe rekomandimet që vijnë nga IKShP-ja si dhe urdhëresat dhe vendimet që vijnë nga institucionet, në mënyrë që të kalojë kjo sëmundje sa më shpejt.

Ai përmendi edhe situatën në Prishtinë, duke e cilësuar si të menaxhueshme dhe nëse respektohen në përpikëri këto masa shumë shpejt mund të dalim nga kufizimet.

“Është mirë që secili qytetarë të jetë i vetëdijshëm për çështjen sa i përket distancës, kështu që ju bëjë thirrje edhe njëherë të gjithë qytetarëve që ti respektojnë udhëzimet dhe rekomandimet që vijnë nga IKShP-ja si dhe urdhëresat dhe vendimet që vijnë nga institucionet, në mënyrë që ta kalojmë këtë sëmundje sa më shpejt, sidomos në Prishtinë trendi është në rënie dhe situata është duke u menaxhuar mirë dhe nëse vazhdojmë kësisoj atëherë ka mundësi që shumë më shpejt të dalim nga kufizimet që i kemi” shtoi Tahiri.

Të ngjashme