Tash e një dekadë të ngujuar, BE u tregua e padrejtë me Kosovën për vizat

Prishtinë | 20 Jan 2022 | 07:59 | Nga Ekonomia Online

Rrafsh një dekadë.

Megjithatë, dialogu për liberalizimin e vizave në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, nuk ka marrë akoma epilog.

Kosovarët vazhdojnë të mbesin të ngujuar në rajon, ani se i kanë plotësuar 95 kriteret e Unionit.

Shteteve tjera të Ballakanit u janë dashur tepër pak kohë për finalizimin e këtij procesi.

Shqipërisë dhe Bosnjës tre vjet. Ndërkaq, nga dy vite ka zgjatur për Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë.

Spektri politik vlerëson se Kosovës i është bërë e padrejtë deri tash.

“Kemi pasë shkaktarë të shumtë, duke i vënë theks edhe qeverisjeve të kaluara. Prej 14 shkurtit ka ndryshu edhe qasja e BE-së karshi vendit tonë. Sigurisht i është bërë e padrejtë kur një gjë e tillë është kërkuar nga Komisioni Evropian. Besoj që shumë që ky proces do të finalizohet. Na është bërë e padrejtë. Por besoj që e meritojmë liberalizimin e vizave”, u shpreh për Arbëresha Hyseni, deputete e VV-së.

Kolegu i saj, deputeti Agon Batusha thotë se problemi qendron më shumë tek BE sesa tek Kosova.

“Ende s`ka lëvizje nga ana e Këshillit të BE-së gjë që e kuptojmë që është çështje tanimë e qëndrimeve politike e jo teknike. Komisioni i BE ka dhënë rekomandimin pozitive për liberalizim dhe është mbështetur edhe nga Parlamenti Evropian. Pra, Këshilli i BE-së është ai qe nuk e ka futur në agjendë të vendimmarrjes liberalizimin e vizave, e këtu është vendimmarrje politike me vota te secilit shtet anëtare”, u shpreh ai.

“Front Online” ka tentuar të marrë mendimin edhe të deputetëve tjerë, por ata nuk e kanë hapur telefonin.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku flet edhe për fajin që ka Kosova karshi ngecjes së procesit.

“Kosova ka fajet e saja për shkak të moskrijimit të një mirëqenie më të mirë për qytetarët e vet sepse nuk mjafton vetëm përmirësimi i kushteve teknike për liberalizim vizash, e në anën tjetër të kemi një mirëqenie të keqe, dhe ende të përballemi me mungesë të energjisë elektrike në vitin 2022”, u shpreh Sadiku për “Front Online”.

Disa herë është thënë se Franca dhe Holanda janë dy nga vendet skeptike për regjimin e vizave ndaj kosovarëve.

Franca nga janari i këtij viti për gjashtë muaj do të udhëheqë presidencën e BE-së.

Shpresat që liberalizimi i vizave për kosovarët të ndodh gjatë kësaj periudhe janë të vogla.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme