Task-Forca Anti-Drogë kërkon të ndërtohet Qendra për trajtimin e sëmundjeve të varshmërisë

Prishtinë | 16 Dhj 2019 | 13:48 | Nga Ekonomia Online

Përdorimi i substancave narkotike tek të rinjtë paraqet një brengë të madhe kudo në botë. Edhe në Kosovë statistikat tregojnë se mosha mesatare e përdoruesve të drogës po rritet në përmasa shqetësuese.

Në shumë vende kjo moshë mesatare e përdoruesve sillet në rreth 16 vjeç. Nga ky trend negativ nuk është imun as vendi ynë.

Lidhur me këtë dukuri gjatë vitit 2019 janë arrestuar më shumë se 1400 persona të dyshuar për trafikim të narkotikëve, prej të cilëve mbi 70% janë edhe përdorues.

Në kuadër të luftimit të kësaj dukurie negative, një segment paraqet rehabilitimi dhe trajtimi i përdoruesve të llojeve ndryshme të drogave.
Portali ka siguruar dokumentin ku shefi i Task Forcës AntiDrogë tek të rinjtë, Avdullah Hasani , i ka shkruar Ministrit dhe Sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë që t’i marrin masat e nevojshme për trajtimin e përdoruesve të narkotikëve.

Duke u bazuar në mandatin e saj që i obligon institucionet tjera të marrin masa sipas kërkesave të saj, Task Forca Kundër-Narkotik tek të rinjtë dhe për Siguri në Shkolla i është drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë që të ndajë mjetet dhe të përcaktojë lokacionin për ndërtimin e Qendrës Kombëtare për Rehabilitimin e Personave me Vartësi nga substancat narkotike gjatë vitit 2020.


Se kjo Qendër është shumë e nevojshme, dëshmon edhe shqetësimi i paraqitur nga ana e Avokatit të Popullit disa ditë më parë.

Të ngjashme