Tcherneva: Kosova dhe Serbia nuk po punojnë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve

Prishtinë | 01 Nën 2021 | 08:03 | Nga Ekonomia Online

Kosova dhe Serbia nuk po angazhohen për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve prandaj dialogu mes tyre është në “rrugë qorre”, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) Vessela Tcherneva, zëvendësdrejtore e Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë.

Ajo mendon se për shkak të zhvillimeve të brendshme në Prishtinë dhe Beograd, përkatësisht zgjedhjeve lokale në Kosovë dhe atyre që do të mbahen vitin e ardhshëm në Serbi, të dyja palët do të përdorin dialogun për deklarata drejtuar elektoratit të brendshëm.

Sipas saj, ekziston rreziku i incidenteve në rast se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara nuk ua bëjnë të qartë liderëve të të dyja vendeve se dhuna është e papranueshme.

Ajo e sheh si “sinjal premtues” angazhimin e Shteteve të Bashkuara në dialogun Kosovë-Serbi.

“Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të dakordojnë politikën e tyre ndaj rajonit dhe të intensifikojnë bashkëpunimin dhe fokusin (drejt Ballkanit Perëndimor)”, thotë Tcherneva.

Intervista u zhvillua derisa ekspertja Tcherneva mori pjesë në Forumin e Sigurisë në Beograd.

Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë është një institut joqeveritar që hulumton politikën e jashtme dhe të sigurisë evropiane.

REL: Ekzistojnë shumë zëra, edhe këtu në Forumin për Siguri në Beograd, që thonë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është i bllokuar. Si e shihni ju këtë proces?

Tcherneva: Nuk mendoj se dialogu është bllokuar në kuptimin klasik sepse palët ende po zhvillojnë takime në Bruksel. Gjatë verës kemi pasur takimin mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe tashmë ka informacione se mund të takohen prap gjatë muajit nëntor. Ata (zyrtarët) janë të kënaqur me këto takime, sepse i shfrytëzojnë raundet e dialogut në Bruksel për të dërguar mesazhe politike për audiencën e tyre, për të fituar ndoshta pikë politike në mesin e votuesve në Kosovë dhe Serbi. Pavarësisht se dialogu nuk ka ngecur në kuptimin klasik, ai është në “rrugë qorre” pasi palët nuk pajtohen për mosmarrëveshjet. Kemi dëgjuar se takimet mes tyre u zhvilluan në një atmosferë ku kishte ofendime të ndërsjella dhe britma. Këto nuk janë takime të këndshme. Pavarësisht se po takohen ata kanë mosmarrëveshje në shumë pika, nuk po bëjnë asgjë për zgjidhjen e tyre dhe nuk po zhvillojnë dialog konstruktiv. Pikëpamjet e tyre janë të kundërta. Pra edhe pse nuk është “i bllokuar” ky dialog nuk mendoj se të shpie diku.

REL: Ju i përmendet planet që të ketë edhe një takim në nëntor, por ka një problem me agjendën. Serbia këmbëngul që temë e takimit të rradhës të jetë formimi i Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, ndërsa pala kosovare thotë se nuk ka për çfarë të diskutohet në lidhje me këtë temë. Si mendoni se do të rrjedhin gjërat?

Tcherneva: Ka sinjale për një takim të ri të zyrtarëve në nëntor. Ende nuk është e qartë se kur do të mbahet, por për këtë mund të mësojmë së shpejti. Presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti deri më sot nuk janë pajtuar për temat dhe dinamikën e dialogut prandaj mendoj se rendi i ditës është në problem i madh. Nuk mendoj se do të shohim përparim derisa të dyja palët të bien dakord për agjendën e diskutimeve. Nuk është e qartë nëse Asociacioni i Komunave Serbe do të jetë në agjendë, sepse të dyja palët kanë qëndrime të kundërta se si duhet të zhvillohet procesi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme