Të martën Nasim Haradinaj paraqitet para Gjykatës Speciale

Prishtinë | 28 Sht 2020 | 21:40 | Nga Ekonomia Online

Të martën do të jetë paraqitja e parë e nënkryetarit të OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Kështu ka bërë të ditur Gjykata Speciale.

Nasim Haradinaj u arrestua më 25 shtator në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

“Për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Paraqitja e parë e Nasim Haradinajt do të mbahet në seancë publike, e cila mund të përcillet përmes transmetimit në Internet”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, seanca mund të përcillet edhe nga galeria publike e sallës së gjyqit brenda mjediseve të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Të ngjashme