Të rinjtë kërkojnë nga politikanët llogari për premtimet

Prishtinë | 24 Jan 2017 | 17:13 | Nga

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka organizuar sot debat publik me studentë dhe të rinj nga rajoni i Mitrovicës me qëllim të nxitjes së angazhimit të tyre për të kërkuar llogari nga të zgjedhurit politik.

Pjesë e diskutimit me të rinj ishin deputetët e Kuvendit të Kosovës: Vjosa Osmani (LDK), Xhevahire Izmaku (PDK)  Ilir Deda(deputet i pavarur) si dhe nënkryetari i Komunës së Mitrovicës Faruk Mujka.

Deputetja Vjosa Osmani, ka thënë gjatë fjalës së saj se në Kosovë është shënuar përparim viteve të fundit sa i përket llogaridhënies dhe transparencës së deputetëve karshi qytetarëve. Pikërisht rrjetet sociale ka thënë se kanë ndikuar që të shtohet aktivizmi qytetarë dhe të rritet llogaridhënia nga politikanët. Osmani ka thënë se do të donte që të rinjtë të reagonin më tepër në mënyrë kolektive dhe jo individuale që mendimi, ankesa apo kërkesa e tyre të trajtohet më seriozisht dhe të gjej zbatim.

Kurse deputetja Xhevahire Izmaku, ka vlerësuar se në Kosovë nuk është kultivuar llogaridhënia dhe transparenca si kulturë dhe se duhet të punohet më tepër që kjo kulturë të ndërtohet. Ajo ka theksuar se po të kishte ndarje në zona zgjedhore transparenca dhe llogaridhënia ndaj votuesit do të ishte më e madhe. Po ashtu është zotuar se do ta ngris në Kuvend çështjen e bursave studentore për studentët e Universitetit publik të Mitrovicës të cilët u ankuan për vlerën e ulët të tyre krahasuar me Universitetin e Prishtinës.

Deputeti Ilir Deda, ka folur për rolin e deputetit duke vlerësuar se një deputet ka më tepër përgjegjësi ndaj qytetarit se sa partisë që përfaqëson për faktin që votohet direkt nga qytetari. Sipas tij partia është irelevante kur vije në pyetje qytetari.
Kurse arsimimi ka theksuar se është shumë i rëndësishëm dhe nuk lejon që një politikan të bëhet rob i një partie.

Kurse Faruk Mujka nënkryetar i Mitrovicës, ka potencuar se transparenca dhe llogaridhënia janë dy veçori shumë të rëndësishme që duhet të kultivohet tek rinia kosovare pasi gjeneratat e vjetra sipas tij e kanë harruar kuptimin e këtyre veçorive. Sipas tij këto janë dy shtylla të një shteti demokratik dhe njëkohësisht edhe standarde ndërkombëtare që përbëjnë sfidë për shumë vende.

Panelistët po ashtu ju përgjigjen interesimit të madh të studentëve për shumë çështje që lidhen me transparencën por edhe zhvillimet e fundit politike në vend.

Ky debat u organizua me mbështetje të Ambasadës Britanike në Prishtinë në kuadër të projektit “Fuqizimi i votueseve të rinjve për të marrë vendime duke qenë të informuar, dhe duke i ndihmuar ata që t’i mbajnë politikanët llogaridhënës”.

foto

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme