Të rinjtë kosovarë e kalojnë kohën e lirë nëpër kafiteri

Prishtinë | 16 Tet 2016 | 14:18 | Nga

Prishtina, vazhdon të jetë qyteti më i preferuar për të rinjtë. Sheshet, kafiteritë dhe qendrat e ndryshme, frekuentohen nga të rinj prej qyteteve të ndryshme të Kosovës si, Prizreni, Peja, Gjakova, Mitrovica, Ferizaj, e kështu me radhë.Ndonëse qytetet më të mëdha tashmë i kanë edhe Universitetet e tyre, kryeqyteti vazhdon të jetë i preferuari edhe për studentët.

Por, sa ofron Prishtina edhe anën argëtuese për një numër kaq të madh të rinjsh që i “grumbullon”? Kjo është tema e “VOX”-it që Radio Evropa e Lirë ka përzgjedhur për këtë të diel.

Disa nga të anketuarit thonë se kryeqyteti i Kosovës, Prishtina nuk ofron shumë aktivitete kulturore, sportive dhe rekreative që të rinjtë të kalojnë kohën e lirë.

Sipas tyre, ka munguar përkrahja financiare nga institucionet qendrore dhe lokale, për të ndërtuar qendra falas që të rinjtë të merren me aktivitete të ndryshme. Kështu që vendi i vetëm, thonë ata, mbeten ambientet e mbyllura, si lokalet shërbyese.

Ndërsa, kinematë dhe teatrot nga të rinjtë vizitohen shumë pak.

Njëra nga to është Egzona Pronaj. Ajo tregon se i pëlqen sporti, por nuk merret me këtë aktivitet.

“Si të rinjtë tjerë, nëpër kafe, merremi pak me sport. Është dashur që komuna të organizojë ndonjë aktivitet sportiv, si për shembull volejboll, basketboll. Ne ndeshjet i shikojmë, por vetë nuk marrim pjesë”, thotë Egzona.

Kurse, Launit Duraku, konsideron se Komuna e Prishtinës shumë pak mendon për nevojat e të rinjve që vijnë nga e gjithë Kosova.

“Komuna merret shumë pak, duhet të bëjë më shumë për këtë çështje, sidomos për sportin, pasi ky sport është shumë i mirë për shëndetin. Kohën e lirë e kaloj duke u shëtitur. Teatrin, kinemanë nuk i vizitoj, më shumë nëpër lokale e qendra tregtare”, tregon Launiti.

Laurita Osmani, është studente në vitin e parë në Fakultetin e Edukimit. Ajo thotë se në mungesë të aktiviteteve të organizuara nga institucionet, të rinjtë janë orientuar nëpër ambiente të mbyllura duke përdorur rrjetet sociale.

“Kohën e lirë, duke lexuar ose në rrjetet sociale. Aktivitete nuk ka, më shumë në shoqëri për kafe. Po të kishte qendra ku zhvillohen aktivitete të ndryshme, do të kishte qenë shumë mirë, pasi të rinjtë do të kalonin kohën e lirë aty. Ka nevojë shumë për këto qendra”, shprehet Laurita.

Nevojën për organizimin e aktiviteteve të ndryshme e paraqet edhe studenti tjetër Jeronim Zeqiraj:

“Kohën e lirë në banesë. Po ka aktivitete, turnire të futbollit. Komuna nuk më ka ndodhur të shoh se ka organizuar, vetëm gjysma maratona, aty edhe kam marrë pjesë, diku tjetër jo. Kësi lloji aktivitetesh duhet të organizohen më shumë, sidomos për studentë. Teatrin dhe kinemanë nuk i vizitoj, sepse jam i zënë me studime”.

Se lokalet janë vendi i preferuar për të rinjtë thotë edhe Besmir Shala:

“Unë nuk e vizitoj teatrin apo kinemanë, por në të ardhmen do t’i vizitoj. Unë jam marrë me not, kam qenë notar, për këtë edhe jam regjistruar në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit. Por, tashmë ka filluar viti akademik dhe e kam ndërprerë. Të rinjtë më shumë u kushtojnë kohë lokaleve sesa studimeve apo aktiviteteve tjera”.

Në anën tjetër, disa të rinj tregojnë se kinematë që janë funksionale në kryeqytet, çmimet e biletave i kanë shumë të shtrenjta për të rinjtë. Çmimi për një film, kushton 5 euro për person. Këtë çmim të shtrenjtë e konsideron edhe Genc Zeqiraj, student në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit.

“Ka shumë pak aktivitete të organizuara nga institucionet komunale. Kohën e lirë më tepër e kaloj në banesë, nganjëherë dal me shokë nëpër kafene. Në kinema një biletë kushton 5 euro, ky çmim është i shtrenjtë për studentë”, thekson Genci.

Një e re tjetër nga Prishtina, Ilirjeta Veliu, thotë se për të zvogëluar numrin e të rinjve që qëndrojnë nëpër kafiteri, autoritetet kompetente domosdo duhet të krijojnë kushte për të rinjtë. E sidomos Prishtina, si kryeqytet i Kosovës, duhet të ketë më tepër aktivitete.

“Kohën e lirë, e kaloj duke lexuar ose duke u munduar t’i ndihmoj mamit. Zakonisht lexoj ato që më duhen për studime në fakultet. Prishtina si kryeqytet i Kosovës ka hapësirë më të madhe, sidomos për të rinjtë. Kështu që mirë është. Teatrin e vizitoj, zakonisht me shoqëri, kolegë, ose kur kemi kohë nganjëherë dalim edhe për kafe”, pohon Ilirjeta. /REL

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme