Të rinjtë kosovarë nuk i besojnë politikës dhe institucioneve, porosi që të mos rrinë duarkryq

Prishtinë | 02 Pri 2019 | 16:19 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pas prezantimit të studimit “Rinia e Kosovës”, realizuar nga Fondacioni Friedrich Ebert dhe Instituti i Hulumtimeve IDRA Research and Consulting, panelistët kanë diskutuar për të gjeturat, raporton Ekonomia Online.

Frank Hantke, drejtor i zyrës së FES-it në Kosovë, tha se shteti nuk po bën diçka që të zgjidhen problemet e rinisë, siç është punësimi etj.

“Të rinjtë janë krejtësisht të zhgënjyer. E pat rënien nga 70% në 30% të interesimit (për t’u përfshirë në procese dhe vendimmarrje politike). Por, edhe të rinjtë nuk duhet te presin nga dikush. Keni mësuar nga dekada e shkuar se keni kërkuar që dikush të bëj diçka për ju, por prindërit tuaj nuk bën asgjë, as qeveria, as parlamenti e as OJQ-të, përndryshe do të kishte rritje të interesimit”.

Ai kërkoi nga të rinjtë të kërkojnë atë që mendojnë që e meritojnë dhe janë të gatshëm të marrin.

“Mos pritni nga dikush ta bëjë punën për ju, por vetë bëni diçka, mos pritni para derës dikush ta hap derën e të thotë futu brenda se do të flas me ty…. Demokracia do të thotë se çdo qytetar ka bashkë-përgjegjësi me atë që ndodhë në vend. Nuk mund të rrini duarkryq e të thoni se politikanët i kemi zgjedhur dhe do bëjnë punën për ne”, tha ai.

Hantke tha se prindërit nuk duhet të ua imponojnë fëmijëve vendimet, por janë të rinj ata që vendosin se çka kanë talent dhe çka mund të bëjnë më së miri.

“Duhet të insistoni të hapet dera, për mua kjo është një gjetje e rëndësishme që shihet se nuk ka pasur ndryshim të mirë që nga 2012-2018 shihet që shumë njerëz kanë qenë fjetur”.

“Mos bëni gjithçka çka ju thonë prindërit, mendoj se edhe para se të martohen fëmijët prindërit e dinë se çka do studiojnë fëmijët e tyre, fëmijët kanë talente të ndryshme, talentet kanë gjet sepse askush në shkollë apo prindërit nuk e ka ditur që mund të jesh avokat i mirë por askush nuk ju ka pyetur se a dëshiron të bëhesh piktorë i mirë”.

“Përvoja mbi te cilën bazohet zhvillimi ekonomik janë dy shtylla, akademia dhe pjesa joakademike, akademikët dhe të shkathët, kemi nevojë për të rinj që e kryejnë punën duke mësuar një shkollë profesionale, një mekanik fiton shumë më shumë se sa një profesor i dobët”, tregoi ai.

Autori i studimit, Oltion Rrumbullaku tha se ekonomia dhe punësimi janë dy çështje të rëndësishme, por që pëlqimi për të pritur një punësim në sektorin publik është problematike kudo.

“Ekonomia dhe punësimi janë më rëndësishme, dëshira e madhe për të u punësuar në sektorin publik rreth 70% që është në rritje është problematika më e madhe në rajon, për pagën e sigurt dhe tregon mungesën e motivimi për të kërkuar më shumë. Kjo mund të sjellë problematika në të ardhmen pritja e punësimit në sektorin publik”, tha Rrumbullaku.

Ai tha se të rinjtë duan vetëm të kryejnë studime universitare, por jo në drejtimet ku kërkohet tregu i punës, raporton Ekonomia Online.

“Po ashtu edhe përqindja e të rinjve pa punë dhe arsim 25% të rinjve që kanë këtë problematikë, tek arsimi kemi profesionet që nuk përshtaten me tregun e punës, të rinjtë edhe pa pasur aftësitë e duhura duan të përfundojnë studimet universitare dhe nuk përshtaten me tregun e punës është problematike”.

Sipas tij, të rinjtë duhet ta gjejnë vetë strehën dhe të jenë më kërkues në mënyrë që të mos presin të ardhura nga familja.

Feim Hoxha, drejtor i departamentit të rinisë në MKRS, tha se hulumtimi do t’i ndihmojë këtij departamenti që të rregulloj legjislacionit në fushën e rinisë.

“Gjetjet do t’i marrim parasysh, sipas publikimit neve na del se duhet ndryshojmë politikat tonë me i harmonizuar karshi interesave të rinjve dhe kërkesat e të rinjve të vendit tonë sepse vetëm ata e dijnë se çfarë duan dhe ne duhet të i përshtatemi kërkesave të tyre”, tha ai.

“Ky publikim do na shërbej shumë, ne kemi hy në fazën e legjislacionit në fushën e rinisë jemi në plotësim-ndryshim të ligjit që ka disa vjet në fuqi, kanë ndryshuar praktikat evropiane rrethanat e mendimet e të rinjve dhe neve na obligim me harmonizuar me praktikat më të mira me te BE-së dhe kërkesat e të rinjve”, shtoi Hoxha.

Agnesa Qerimi, nga Këshilli Rinor Kosovarë, tha se mungesa e aktiviteteve në politikë tek të rinjtë është mosbesimi i institucioneve, përfshirë edhe OJQ-të.

Ajo tha se të rinjve nuk u japim hapësirë për të treguar dijet e tyre, por i konsiderojmë të padijshëm dhe nuk i përfshijmë në çështje të rëndësishme vendimmarrëse.

“Rinia nuk do jetë e shëndoshë nëse nuk marrin hapësirën e duhur dhe të vetmit që kanë faj janë secili nga ne përveç një të riu, jemi mësuar se të rinjtë tanë nuk dinë, nuk i kyçim në çështje vendimmarrëse sepse i konsiderojmë të rinj e nuk dinë dhe nuk kontribuojmë në ngritjen e dijes së tyre sepse u kemi dhënë një sistem edukimi pa hapësirë elementare dhe ne jemi faktorët që të rinjtë tanë nuk dinë dhe që fajin u lëmë atyre për funksionimet që nuk u kemi dhënë vetë”, tha Qerimi.

Sociologia, Linda Gusia tha se të rinjtë janë optimist, por se janë jo kërkues dhe kënaqen me ato që momentalisht i kanë.

“Në Kosovë tradicionalisht në mungesë të shtetit funksional, familja ka qenë institucioni i vetëm përkatës e funksional, konsideroj se sociologët në Kosovë e interpretojnë këtë të dhënë si vlerë, por mendoj se është mungesa e një shteti funksional dhe e një sigurie që duhet të vij nga shteti që krijon një bazë elementare”, tha ajo.

“Mungesa e aktivizimit është një element që shpjegon dhe ndërlidhet me nevojën për siguri, por është dëshpërim sepse nepotizmi që është dominant në punësim e shtetin tonë krijon apati dhe mendoj se vetëkënaqësia e deklaruar ka të bëj me rrethin e ngushtë familjar dhe duhet të na shqetësoj të gjithëve paaftësia e lidhjes së jetës individuale është problematike”, shtoi Gusia.

Ky studim është hulumtim i vlerave, qëndrimeve, opinioneve, brengave dhe perspektivave të të rinjve të Kosovës, ku të anketuar janë 1200 të rinj në gjithë Kosovën, të moshës 14 deri në 29 vjeç.

LEXONI EDHE:

Të ngjashme