Të rinjtë në Kosovë u vaksinuan pa rend, bëhen ndryshime në aplikimin ‘online’

Prishtinë | 21 Qer 2021 | 18:00 | Nga Ekonomia Online

Derisa personat e moshuar prisnin në radhë për t’u vaksinuar kundër COVID-19, shumë të rinj të cilët nuk janë të përfshirë në fazën e dytë të vaksinimit kanë arritur të vaksinohen kundër këtij virusi. Mirëpo, tashmë disa ditë qytetarët thonë se nuk po mund të aplikojnë online për shkak të ndryshimeve që janë bërë, ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se parakusht është që personat të jenë pjesë e kategorisë që po vaksinohet tani.

Edhe pse nuk janë të përfshirë në fazën e dytë të vaksinimit, shumë qytetarë të rinj në moshë kanë arritur të vaksinohen kundër COVID-19 në Kosovë, derisa ata mbi 65 vjeç po presin derisa t’u vjen radha për ta marrë vaksinën.

Express tashmë disa herë ka raportuar për marrjen e vaksinave nga persona më të rinj se 40 e 30 vjeç, të cilët nuk i përmbushin kriteret për t’u vaksinuar në këtë kohë.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për Express se javën e kaluar disa herë publikisht kanë shpjeguar se kush do të vaksinohet në këtë fazë.

Sipas kësaj ministrie, bazuar në Planin e Veprimit për vaksinimin e qytetarëve në masë me vaksinën kundër COVID-19 dhe në Planin Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19 (faza II), vaksinimi po vazhdon me kategorinë e personave të moshës mbi 65 vjeçare, personat më sëmundje kronike, profesionistët shëndetësor, mësimdhënësit dhe kategoritë e tjera të parapara në fazën e dytë të vaksinimit, përfshirë forcat e sigurisë, të ndërlidhura me menaxhimin e COVID-19.

“Javën që shkoi disa herë publikisht janë shpjeguar përmes komunikatave dhe formave të tjera të komunikimit se kush vaksinohet në këtë fazë dhe pse ka pasur persona edhe më të ri se 65 vjeç, siç janë kategoritë e të sëmurëve kronikë pa dallim moshe, personeli shëndetësor dhe persona nga kategori të tjera, të cilët janë vaksinuar”, është thënë nga zyra për informim në MSH.

Ndërsa, derisa ka pasur kritika nga qytetarët se janë bërë ndryshime në aplikimin online, nga kjo ministri kanë deklaruar se parakusht është që qytetarët të jenë pjesë e fazës së dytë të vaksinimit.

“Sa u përket ndryshimeve në aplikimin për termin për vaksinën kundër COVID-19, prej 15 qershorit qytetaret vet hyjnë në platformën E-Kosova dhe i caktojnë terminët në dispozicion për vaksinim, ndërsa parakusht për këtë fazë (faza II) është që të bëjnë pjesë në kategorinë e personave që vaksinohen tani sipas kategorive”, është thënë nga kjo ministri.

A mori dikush përgjegjësi për vaksinimin e këtyre personave?

Ndonëse nga Ministria e Shëndetësisë kanë deklaruar se po vaksinohen vetëm personat që janë të përfshirë në fazën e dytë të vaksinimit, vet personat e rinj në moshë që kanë arritur ta marrin vaksinën, kanë treguar se nuk janë as personel shëndetësorë, as me sëmundje kronike e as nuk i takojnë fazës së dytë të vaksinimit.

E për vaksinimin e tyre deri tani nuk ka marrë askush përgjegjësi.

Nga Salla “1 Tetori” në Prishtinë kanë deklaruar për Express se ata i vaksinojnë të gjithë ata qytetarë që janë të përfshirë në listën që u dërgohet, ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë nuk e kanë pranuar se po vaksinohen persona që nuk janë të përfshirë në fazën e dytë të vaksinimit.

Mirëpo për vaksinimin e këtyre personave, është kritikuar kjo ministri.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla ka thënë për Express se është i pakënaqur për shkak të mostransparencës në vaksinimin e qytetarëve.

Ai është shprehur se nëse vazhdon vaksinimi i personave të caktuar pa qenë të përfshirë në fazën e dytë të vaksinimit, vendi mund të shkoj drejt komprometimit të procesit.

“Unë jam i pakënaqur sepse nuk ka edhe transparencë. Ende po vazhdon avazi i vjetër

Vaksinimi masiv do të thotë të vaksinohen njëherë ata që janë mbi moshën 65 vjeç, Nëse vazhdon kështu do të shkojmë drejt komprometimit të procesit”, ka thënë ai.

Informata të Ministrisë së Shëndetësisë rreth vaksinimit kundër COVID-19

Ministria e Shëndetësisë, është deklaruar edhe njëherë rreth procesit të vaksinimit.

Më poshtë gjeni informatat e kësaj ministrie të dërguara për gazetën.

Bazuar në Planin e Veprimit për vaksinimin e qytetarëve në masë me vaksinën kundër COVID-19 dhe në Planin Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19 (faza II), vaksinimi kundër COVID-19 po vazhdon me kategorinë e personave të moshës mbi 65 vjeçare, personat më sëmundje kronike, profesionistët shëndetësor, mësimdhënësit dhe kategoritë e tjera të parapara në fazën e dytë të vaksnimit, përfshirë forcat e sigurisë, të ndërlidhura me menaxhimin e COVID-19.

Me qëllim të mbarëvajtjes së procesit, Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje sërish qytetarëve që në qendrat e vaksinimit të paraqiten vetëm pasi të kenë marrë thirrjen apo njoftimin për vaksinim, sipas termineve të përcaktuara përmes platformës eKosova. (https://ekosova.rks-gov.net/)

Ministria tërheq vëmendjen se cilado kategori e qytetarëve që merr thirrjen për vaksinim, me rastin e paraqitjes në qendrën e vaksinimit në komunën e tij, të ketë me vete dëshmi për kategorinë të cilës i përket:

Personat mbi moshën 65 vjeçare, duhet ta dëshmojnë këtë përmes letërnjoftimit ose ndonjë dokumenti valid;

Të sëmurët kronikë pa dallim moshe- përmes dëshmive shëndetësore;

Forcat e sigurisë – përmes kartës që i identifikon se i përkasin shërbimit përkatës (Policisë së Kosovës apo Forcës së Sigurisë së Kosovës);

Personeli shëndetësor dhe mësimdhënësit-përmes kartës (ID) të punës ose dokumenti tjetër që konfirmon se punojnë në këta dy sektorë.

Nëse të njëjtit nuk i paraqesin këto dokumente/dëshmi në qendrat e vaksinimit, nuk do të vaksinohen.

MSh u bën thirrje sërish qytetarëve që të shfrytëzojnë platformën eKosova për të aplikuar për marrje të vaksinës kundër COVID-19 dhe të ndjekin udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me vaksinimin si proces.

Të ngjashme