Të vegjlit informohen për rëndësinë e ujit

Prishtinë | 22 Mar 2017 | 14:29 | Nga

Green Art Center-Prishtina në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kanë bërë shpërndarjen e librit për ngjyrosje në cerdhet shtetërore të komunës së Prishtinës, për shënimin e 22 marsit, Ditës Botërore të Ujit.

Libri për ngjyrosje i cili është dizajnuar nga profesionistët e GAC-it dhe është punuar në bashkëpunim me MMPH-në, ka për qëllim që të përcjellë mesazh vetëdijesues tek fëmijët, në lidhje me ujin. Faqet e librit janë ilustruar me një kujdes të veçantë, duke dashur që nëpërmjet secilës faqe, të nxirret një mësim jetësor në lidhje me ujin.

Përpos aktivitetit të sotëm, GAC-i gjatë gjithë javës së kaluar ka pasur aktivitete të ndryshme nëpër disa komuna të Kosovës, aktivitete këto që kanë shfaqur një interes të jashtëzakonshëm të nxënësve për tu informuar sa më shumë në lidhje me ujin.

22 marsi, qysh nga viti 1993, me rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, u shpallë dita botërore e ujit. Është manifestim që mbahet për çdo vit në të gjithë botën, duke u fokusuar në rëndësinë e qasjes në ujë të pastër. Dita Botërore e Ujit, gjithashtu ka për qëllim që të potencojë nevojën e ngritjes së kapaciteteve në infrastrukturën e ujit, pastërtinë dhe higjienën e tij. Kjo ditë botërore, përkrahet nga organizata, institucione, programe të ndryshme nga e mbarë bota, e në veçanti nga organizatat jo-qeveritare, të cilat bëjnë përpjekjen më të madhe që të adresojnë problemet dhe shkaktarët dhe kërkojnë për zgjidhje të tyre.

Edhe në Kosovë, organizatat jo-qeveritare përpiqen vazhdueshëm të avokojnë në ngjarje të ndryshme, e këtë e dëshmon edhe angazhimi i Green Art Center-Prishtina, e cila që nga viti 2013, vazhdimisht ka implementuar nisma dhe aktivitete të ndryshme për këtë qëllim. Pikërisht falë këtij përkushtimi, këtë vit fitoi besimin e MMPH-së, që të udhëheqë të gjitha aktivitetet për shënimin e 22 marsit, të cilat padyshim se janë cilësuar të suksesshme.

 

Fotografia e Green Art Center

Fotografia e Green Art Center

 

Të ngjashme