TehnoBurimi nis ndërtimin e fabrikës më të madhe në botë të dyshekëve, do të punësohen 2500 persona

Prishtinë | 08 Sht 2021 | 08:32 | Nga Ekonomia Online

Kompania TehnoBurimi dhe kompania Comodita Home kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, ku kompania TehnoBurimi do të bëjë ndërtimin e fabrikës më të madhe në botë të dyshekëve Comodita e cila pritet të jetë 80.000m2, dhe do të punësoj 2500 punëtorë, në qytetin e Gjakovës.

Të dy kompanitë janë anëtarë të Klubit të Prodhuesve të Kosovës.

Në një komunikatë të Klubit të Prodhuesve thuhet se ky është shembulli më i mirë që prodhuesit rriten dhe fuqizohen së bashku, duke përkrahur njëri tjetrin për një ekonomi më të zhvilluar dhe më të fuqishme.

“Kompania TehnoBurimi do të angazhohet në ndërtimin e fabrikës së parafabrikuar me konstruksion të betonit, e cila do të jetë ndër më modernet në vendin tonë. Kjo kompani prodhon elemente të betonit të parafabrikuar të cilat përdoren në sektorin e ndërtimit dhe energjisë, shtëpiza për trafo-stacione, anësore të rrugëve, ulluqet, gypa betonit, e shumë produkte tjera të cilat njihen për cilësinë dhe janë të garantuara, pasi që të gjitha produktet janë të standartizuara”, thuhet në njoftim.

Ata i kanë uruar suksese kompanive dhe kanë shprehur besimin që projekte si këto vetëm sa kanë filluar të zhvillohen në vendin tonë.

“Një e ardhme e mirë dhe e sigurt po e pret vendin tonë”.

Të ngjashme