Telekomi i Kosovës njofton për masa lehtësuese për komunikimet me Ukrainën

Prishtinë | 07 Pri 2022 | 14:44 | Nga Ekonomia Online

Telekomi i Kosovës ka njoftuar se ka marrë masa lehtësuese për komunikim me Ukrainën, duke marrë parasysh situatën në këtë vend.

Sipas Telekomit është tarifuar vetëm kostoja e drejtpërdrejt e intekoneksionit.

“Telekomi i Kosovës, si operator i vetëm publik, duke ndjekur orientimin dhe rekomandimet e institucioneve publike të Republikës së Kosovës, në radhë të parë të Kuvendit të Kosovës, Qeverisë dhe ARKEP-it, për solidarizim me popullin e Ukrainës, ka marrë masa lehtësuese për komunikim me këtë vend, duke tarifuar vetëm koston e drejtpërdrejtë të interkoneksionit. Gjithashtu, Telekomi i Kosovës ka përmbushur me përkushtim dhe përgjegjësi edhe rekomandimet e mëhershme të institucioneve shtetërore për parandalimin e përhapjes së propagandës dhe lajmeve të rreme nga mediat dhe instrumentet e tjera të Rusisë, nëpër të gjitha rrugët dhe mënyrat e mundshme të përhapjes së tyre ku ne mund të ndikojmë”, thuhet nga Telekomi.

“Telekomi i Kosovës është kompani publike, lider në industrinë e telekomunikimit, në shërbim të përhershëm e të përgjegjshëm të qytetarëve të Kosovës, duke ofruar shërbime të telefonisë mobile, fikse dhe internetit në tërë territorin e Kosovës, me një kosto më se të pranueshme. Vala është e Kosovës, dhe ndan me qytetarët e saj ndjenjën e solidaritetit dhe dhembjes për vuajtjet nëpër të cilat po kalon populli i Ukrainës, duke na e kujtuar në mënyrë dramatike historinë tonë më të re dhe duke na mësuar që vazhdimisht të jemi në anën e duhur, atë të lirisë, paqes dhe humanizmit”.

Të ngjashme