Telekomi i Kosovës u kërkon punëtorëve të largohen vullnetarisht nga puna, ja çka u ofron në këmbim

Prishtinë | 16 Pri 2022 | 12:25 | Nga Ekonomia Online

Telekomi i Kosovës u ka dhënë afat deri më 25 prill të gjithë punëtorëve që duan në mënyrë vullnetare ta lënë punën e disa të tjerëve që janë afër moshë së pensionimit të dalin para kohe në pension.

Kjo sipas menaxhmentit të Telekomit po bëhet në kuadër të riorganizimit të kësaj kompanie.

“Sikurse jeni të informuar, Telekomi i Kosovës sh.a. është duke ndërmarrë një reformim të tërësishëm dhe substancial. Në vazhdën e kësaj, një prej reformave substanciale është edhe ristrukturimi/riorganizimi i strukturës organizative të Telekomit. Struktura e re duhet t’u prijë me profesionalizëm proceseve të kompanisë në të ardhmen, të cilat nuk do të jenë të thjeshta dhe të lehta. Të fokusuar për të balancuar nevojat e punëtorëve në njërën anë, si dhe vështirësitë dhe kërkesat e kompanisë si afarizëm në anën tjetër, në menaxhment dhe në Bord të Drejtorëve jemi duke analizuar të gjitha format e mundshme të reagimit proaktiv. Është evidentuar se kompania në vazhdimësi ka pasur kërkesa nga punëtorët e saj për pensionim të parakohshëm. Para aksionarit kemi paraqitur rëndësinë për të na ndihmuar në akomodimin e kësaj kërkese. Në vazhdën e reformave kemi kërkuar mbështetje për t’u aprovuar një program i tillë, i cili përfshin dy mundësi për punëtorët: Pensionimi i parakohshëm për personat të cilët/at dalin në pensionim gjatë viteve kalendarike 2023, 2024, 2025 dhe 2026, si dhe Marrëveshje vullnetare për ndërprerjen e kontratës së punës me benefitet e përcaktuara për punëtorin/en”, thuhet në emailin që e ka siguruar Demokracia.com.

Punëtorëve që do të pensionohen para kohe kjo kompani u ka ofruar 60% të pagës aktuale bruto për periudhën e mbetur deri në pensionim, në bazë të së cilës do të kalkulohen dhe paguhen trusti si dhe tatimi në pagë.

Kurse te kategoria e dytë është menduar që atyre që largohen vullnetarisht t’u paguhet 24 muaj paga e tyre aktuale bruto, dhe në këtë rast, nga paga bruto do të zbritet trusti dhe tatimi në pagë, të cilat Telekomi do t’i paguajë në emër të punëtorit, ndërsa punëtorit do t’i paguhen 24 paga neto përnjëherë.

Kategorisë së dytë u është thënë se pas ristrukturimit mund edhe të mos e gjejnë më perspektivën e tyre në strukturën e re organizative të Telekomit, pasi që sipas tyre  detyrat dhe përgjegjësitë në fushëveprimtaritë e kërkuara dhe të synuara të kompanisë mund të mos përkojnë me profilin e tyre profesional, apo edhe ngase disa prej pozitave të punës të cilat janë të duplifikuara edhe mund të shuhen.

“Duke qenë të njoftuar se procesi i ristrukturimit ka hyrë në fazën e tij përfundimtare, është menduar po ashtu edhe për mundësinë e ofertës për punonjësit e tjerë, të cilët pas ristrukturimit mund edhe të mos e gjejnë më perspektivën e tyre në strukturën e re organizative. Kjo, ngase detyrat dhe përgjegjësitë në fushëveprimtaritë e kërkuara dhe të synuara të kompanisë mund të mos përkojnë me profilin e tyre profesional, apo edhe ngase disa prej pozitave të punës të cilat janë të duplifikuara edhe mund të shuhen. Nën kushte të tilla, kompania është e detyruar që t’ua thotë të vërtetën punëtorëve të saj të lartpërmendur dhe të mos ua humbasë perspektivën e tyre të mëtejme. Ushqimi i iluzioneve të rrejshme për punëtorët të cilëve kompania nuk mund t’u ofrojë më perspektivë pas ristrukturimit, është jo vetëm humbje e perspektivës për të njëjtit/at, por është edhe abuzim me të drejtat e tyre për të qenë të informuar drejtë dhe me kohë.”, thuhet tutje në e-mailin që e ka siguruar Demokracia.com.

Punëtorëve të  interesuar për këto pako vullnetare  u është dërguar edhe formulari i aplikimit.

“Kjo ofertë bëhet vetëm gjatë intervalit kohor 25 Mars 2022 deri më 25 Prill 2022, që përkon me periudhën para finalizimit të procesit të ristrukturimit. Pas kësaj date në kompani do të rianalizohen opsionet e tjera që gjithsesi nuk do të jenë kaq të volitshme. Drejtoria e Burimeve Njerëzore, menjëherë pas mbylljes së afatit do të raportojë në menaxhment për numrin e saktë të kërkesave të pranuara, duke nënvizuar se sa prej tyre janë valide dhe me kritere të plotësuara. Pas analizimit, shqyrtimit dhe aprovimit, mund të nënshkruhet marrëveshja në mes të punëtorit/es dhe Telekomit të Kosovës sh.a. Më tutje, varësisht nga pako dhe sipas shpjegimit më lartë:pagesa e kalkuluar për muajt (vitet) e mbetura të marrëdhënies së punës do të procedohet për pagesë të menjëhershme. pagesa e kalkuluar për 24 muaj të marrëdhënies së punës do të procedohet për pagesë të menjëhershme.”, thuhet tutje.

Në këtë e-mail u punëtorëve u janë dhënë edhe disa paralajmërime.

“Ju njoftojmë se Aksionari ka pranuar ofrimin e ndihmës financiare përmes sigurimit të pakove dalëse për punëtorët që vullnetarisht dëshirojnë ta shfrytëzojnë këtë mundësi. Natyrisht, kjo ofertë nuk vlen për punonjësit/et, për të cilët/cilat kompania ndër vite ka investuar në ngritjen dhe zhvillimin profesional të tyre ose/dhe i konsideron kategori të rëndësisë së veçantë në procesin vijues zhvillimor të kompanisë. Pra, kompania ruan të drejtën që jo të gjithë punonjësit/et që aplikojnë do t’ju mundësohet aprovimi i kërkesës për pako dalëse vullnetare. Punëtorët që nuk do të përfitojnë nga ky program i pakove dalëse duhet të përgatiten për një rrugëtim me shumë punë, aktivitet dhe veprimtari të matshme me sistemin e ri të menaxhimit të performancës, që hyn në fuqi në kohën e miratimit të strukturës së re organizative.”, thuhet në e-mailin e menaxhmentit të PTK-së. / Demokracia.com/ 

Ky është formulari që u është dërguar punëtorëve: 

Të ngjashme