Telekomit të premten i skadon afati për pagesën e borxhit ndaj Z-Mobile

Prishtinë | 14 Jan 2021 | 19:30 | Nga Ekonomia Online

Të premten është afati i fundit i pagesës së këstit të parë të borxhit që Telekomi i obligohet kompanisë Z-Mobile. Zyrtarët e Telekomit kanë thënë se ndërmarrja e ka të vështirë të paguajë shumën prej 722 mijë eurosh sipas marrëveshjes së arritur në dhjetor të vitit të kaluar.

Nëse nuk ekzekutohet pagesa llogaritë e Telekomit mund të bllokohen sërish. Për pasojë do të dështonte marrëveshja e arritur në mes palëve dhe rasti do t’i nënshtrohej procedurës së përmbarimit, përkatësisht tërheqjes automatike të mjeteve nga llogaria e ndërmarrjes.

Drejtor i Departamentit për marrëdhënie me publikun në këtë Telekom, Menduh Abazi, ka thënë se obligimet dhe borxhet e shumta e kanë sjellë në situatë që nuk dihet nëse mund ta paguajnë këstin e parë.

“Nëse nuk bëhet shlyerja e këtij kësti, atëherë automatikisht janë të bllokuara llogaritë, dhe bllokimi i llogarive do të jetë fatale për Telekomin. Pasi që kjo do të nënkuptonte që marrëveshja nuk është respektuar dhe bllokimi i llogarive tani në këtë kohë para fushatës dhe Qeveria është në shkuarje, nuk e ka mundësinë që dikush të merret me këtë çështje”, ka thënë Abazi.

Ai ka thënë se Telekomi, duke dashur që t’i qëndrojë besnik marrëveshjes për të shlyer obligimin që rrjedhin nga marrëveshja e fundit e ndërmjetësuar nga Qeveria, nuk kanë ekzekutuar as pagat e punëtorëve me qëllim që të mund të paguajnë këtë këst të marrëveshjes.

“Ne në bazë të kërkesave që kemi marrë nga Qeveria kemi dërguar qindra dokumente dhe kemi dërguar edhe projektet kapitale që parashohim rimëkëmbjen e Telekomit. Së fundmi ka pasur një marrëveshje të nënshkruar më 15 dhjetor të vitit të kaluar që do të subvenciononte Qeveria, dhe kjo jogatishmëri e Qeverisë na ka sjellë në një situatë të rëndë dhe që rrezikon në tërësi funksionimin e Kosovës”, ka theksuar Abazi.

Marrëveshja e arritur në mesin e dhjetorit të vitit të kaluar mes Z-Mobile dhe Telekomit parashihej që borxhi prej mbi 17 milionë eurosh të paguhej në afat prej 24 muajve. Por Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, si garantuese e marrëveshjes, kishte nënshkruar memorandumin për subvencionim të projekteve kapitale dhe shpenzimeve operative të ndërmarrjes.

Sipas Menduh Abazit, Telekomi që nga paslufta i ka dhënë Qeverisë 780 milionë euro devidentë dhe se ajo që po kërkojnë nga Qeveria është një ndihmë shumë më e vogël në krahasim me atë që i kanë dhënë.

Blerim Kuçi, si nënshkrues i memorandumit mes Ministrisë dhe Telekomit, në të cilin parashihet edhe subvencionimi, dy ditë më parë ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit.

E nga kjo Ministri nuk janë përgjigjur gjatë së enjtes në pyetjet se a do të subvencionohet ndërmarrja.

Derisa Ministria nuk i ka kthyer përgjigje as Telekomit, punëtorët e kësaj ndërmarrje ende nuk kanë marrë pagat e muajit dhjetor.

Telekomit i ishin bllokuar llogaritë më 26 tetor shkaku i borxhit ndaj Z-Mobile. Gjatë diskutimeve ishte zbritur shuma e borxhit, kjo edhe shkaku i disa obligimeve që kishte pasur edhe Z-Mobile ndaj Telekomit, duke e zbritur shumën në 17.2 milionë euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme