Temperaturat e larta kaplojnë vendin – Pishina e Gërmisë gati për vizitorët

Prishtinë | 23 Qer 2021 | 18:38 | Nga Ekonomia Online

Ngritja e theksuar e temperaturave ka shtuar nevojën për freskim.

E vendi i vetëm ku qytetarët mund të freskohen brenda Prishtinës është Pishina e Gërmisë, e cila është hapur që pesë ditë.

Lidhur me funksionimin e saj ka folur drejtori ekzekutiv i kompanisë “Sport Marketing” që edhe menaxhon me këtë pishinë.

Liridon Llapashtica, tha në një intervistë në emisionin Info Magazine në Klan Kosova se tani situata është shumë më ndryshe sesa vitin e kaluar kur në vendin tonë u shfaqën rastet me COVID-19.

“Mund të themi se është 100 përqind ndryshe sepse njerëzit po ndihen shumë më të lirë në krahasim me vitin e kaluar kur edhe i kemi pasur rastet me COVID-19. Vitin e kaluar kemi operuar vetëm në muajin korrik dhe është dashur të respektohen edhe masat anti-COVID. Tani si duket COVID e ka humbur fuqinë dhe se gjithçka është ndryshe”.

Llapashtica tha se çmimet në Pishën e Gërmisë vazhdojnë të jenë të njëjta tash e një dekadë.

“Çmimet vazhdojnë të jenë të njëjta tash e një dekadë. Domethënë është dy euro për të rritur dhe një euro për personat e mitur. Rritjen e çmimit nuk e kemi diskutuar në bord, për shkak se vendin tonë e ka goditur pandemia dhe natyrisht që nuk kemi dashur që t’i privojmë qytetarët që të freskohen gjatë ditëve me temperaturat e larta”.

Ai theksoi se gjatë pesë ditëve sa edhe është hapur pishina, numri i vizitorëve ka ardhur duke u rritur.

Të ngjashme