Tentim-grabitja në Prizren, qytetarët tentuan t’i frikësojnë hajnat duke bërtitur “policia, policia”

Prishtinë | 18 Nën 2021 | 18:04 | Nga Ekonomia Online

Gjatë së hënës dy persona ishin plagosur në Prizren, gjersa po tentonin të pengonin hajnat që synuan të grabisnin lokalin e tyre. Dëshmitar në këtë ngjarje ishte edhe ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Besnik Krasniqi, i cili në emisionin Frontal në T7 ka dhënë detaje për gjithë këtë ngjarje.

Ai rrëfen se tentim grabitja të ketë zgjatur 12-13 sekonda. E përgjatë kësaj periudhe shprehet se me disa qytetarë të tjerë të cilët ofruan ndihmë, ishin prezantuar si zyrtarë policorë, për t’i frikësuar hajnat.

“Ishim 2-3 qytetarë aty që instiktivisht kemi bërtitur si “policia, policia” dhe kanë menduar që jemi të armatosur edhe ne. I kam njoftuar Policinë e Kosovës për të gjitha detajet dhe besoj që kjo i ka ndihmuar” tha Krasniqi.

Hajnat të cilët tashmë u identifikuan dhe arrestuan nga Policia e Kosovës, ishin me maska, por Krasniqi thotë që njërin prej tyre e kishte dalluar përmes syve.

Por, Krasniqi thotë që tentim grabitja ishte mjaft mirë e organizuar nga të dyshuarit. Sipas tij, ata kishin shfrytëzuar periudhën kur bëhet pranim-dorëzimi i detyrës në Policinë e Kosovës, për ta realizuar aksionin e tyre.

“Ka qenë e organizuar mirë, pasi që kanë qenë në kohën e ndërrimit të policisë, sepse ishte orari dhe ndoshta përderisa bëhet pranim-dorëzimi i detyrës ka një hapësirë dhe i kanë pasur informatat, sepse kanë pasur kohë” thotë ai.

Hajnat ishin koordinuar vazhdimisht për veprimet e tyre, kur edhe kishin filluar të shtënat me armë.

“Britma ka pasur nga ana e pronarëve dhe e jona, ndërsa grabitësit kanë komunikuar mes vete, dhe kur ka filluar i pari të shtijë me armë, filluan edhe të tjerët sepse nuk e kanë pritur rezistencën tonë. Pronarët kanë bërë një punë të mirë sepse gjithë jeta varet prej atij biznesi, sepse tolerimi” shprehet ai.

Krasniqi ka treguar që të dyshuarit ishin të pajisur me dy armë të gjata, automatike dhe revole.

Të dyshuarit janë nga rajoni i Prishtinës dhe kanë të kaluar kriminale, në fushën e grabitjes dhe përdorimit të armës. Sipas policisë, të njëjtit kanë qenë edhe në burg.

Të ngjashme