“TeshaVesha” dyqani ku mund të dhuroni rrobat tuaja për bamirësi

Prishtinë | 31 Kor 2016 | 13:41 | Nga

Nëse keni rroba që nuk iu pëlqejnë më, apo dëshironi t’i dhuroni ato për çështje humanitare, tashmë keni ku të drejtoheni. Në Prishtinë është hapur dyqani ‘TeshaVesha’, ku të gjithë qytetarët mund të drejtohen për të dërguar rrobat e tyre dhe për t’i ndihmuar fondacionet e ndryshme humanitare.

Dyqani ‘TeshaVesha’, i hapur pakë ditë më parë nga fondacioni “Aksioni për nëna dhe fëmijë”, ka për qëllim të financoj disa programe që kryesisht janë me rëndësi për shëndetin e nënave dhe fëmijëve në Kosovë.

Koordinatorja e organizimeve në fondacionin “Aksioni për nëna dhe fëmijë”, Janine Mehmeti tha se qëllimi i hapjes së dyqanit është që të kenë mundësi të gjithë qytetarët të kontribuojnë në financimin e programeve shëndetësore.

“Dyqani ‘TeshaVesha’ është hapur me qëllimin që me mbështet financiarisht programet shëndetësore të fondacionit ‘Aksioni për nëna dhe fëmijë’. Fondacioni është themeluar që nga viti 2009 dhe janë katër programe kryesore që ky dyqan ka për qëllim të financojë: Programin për qendra informuese të grave, për blerjen e medikamenteve sulfantanti për QKUK, blerjen e pajisjeve të ndryshme shëndetësore, si dhe zhvillimin e projektit për transportin e fëmijëve që është shumë me rëndësi shpëtimi i jetëve të fëmijëve në kohë”, tha Mehmeti.

Mehmeti tha se të tilla dyqanesh kanë dëshmuar sukses të madh në të gjithë botën, dhe për këtë vendosën që një të tillë ta hapin edhe në Kosovë. Ajo tha se që nga hapja e dyqanit, shuam personalitete dhe njerëz kanë ardhur dhe kanë blerë nga një dicka, dhe njëkohësishtë kanë vetë dhuruar veshjet e tyre.

Ajo gjithashtu tha se dhurimin e rrobave përveç dyqanit të tyre, të interesuarit dhe me shpirt humanitarë mund ta bëjnë edhe tek shkolla American School of Kosova.

E mira e këtij projekti është se të punësuar në të do të jenë gra të margjinalizuara apo vetë mbajtëse.

“Dyqani pranon dhurime prej qytetarëve prej anëtarëve të komunitetit vazhdimisht i kemi pikat e mbledhjes… Dhurimet e qytetarëve rregullohen dhe pastaj organizohen në atë mënyrë që të ekspozohen ndaj blerësve dhe paret e mbledhura shkojnë drejt financimit të programeve shëndetësore. Është një modalitet ku impakti i dhurimit të një rrobe nuk kalon veç prej një personi tek një person tjetër, por është shumë më i madh. Në dyqan do të punësohen gra të margjinalizuara, vetë mbajtëse, që mbajnë familjet që ndryshe nuk kishin mundur me iu bashku forcës së punës”, tha Mehmeti.

Mehmeti tha se që nga muaji shtator, planifikojnë të punësojnë edhe disa gra me rroga mesatare. Mes të tjerash Mehmeti tha se thirrja është e hapur dhe e vazhdueshme për të gjithë ata që kanë mundësi të ndihmojnë në forma të ndryshme sponsorizim in dhe mbijetesën e këtij dyqani.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme