Tetë vjet nga moszbardhja e vrasjes së heroit Enver Zymberi

Prishtinë | 27 Kor 2019 | 07:59 | Nga Ekonomia Online

Tetë vjet janë bërë qëkur institucionet e drejtësisë kanë dështuar të zbardhin vrasjen e policit të Njësisë Speciale, Enver Zymberi, në pjesën veriore të Mitrovicës.

Përvjetori i vrasjes së tij është përkujtuar nga krerët e shtetit në rrjetin social Facebook.

Homazhe para lapidarit dhe varrit të Zymberit kanë bërë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, si dhe përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan sot Koha Ditore.

Sistemi i drejtësisë, sipas njohësve të kësaj fushe, ka dështuar karshi zbardhjes së kësaj vrasjeje. Ata, po ashtu, thonë se që nga koha e vrasjes së Zymberit, Kosova vazhdon të mos e shtrijë autoritetin e plotë në veri të vendit, duke e konsideruar situatën e sigurisë si të brishtë.

Me urdhër të kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi, më 26 korrik të vitit 2011, forca të shumta policore ia kanë mësyrë Mitrovicës, me urdhrin për shtrirje të sovranitetit të vendit në veri. Afër fshatit Çabër, pas 20 minutave luftime ndërmjet forcave të pjesëtarëve të Njësisë Speciale operative – ROSU dhe një grup personash që u tha se ishin nga komuniteti serb, Zymberi është qëlluar dhe plagosur rëndë. Pas disa orësh ka vdekur, duke mos arritur t`iu bëjë ballë plagëve.

Pas tragjedisë, sistemi i drejtësisë, duke përfshirë edhe EULEX-in, ka filluar hetimin e këtij rasti dhe në shënjestër si të dyshuar i kanë pasur gjashtë persona, katër prej të cilëve u patën arrestuar. Hetimet kanë përfunduar me ngritje te aktakuzës nga prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shyqyri Syla, dhe prokurori i EULEX-it, Pascal Persoons. Mirëpo, në aktakuzë nuk ishte përcaktuar se cili prej të akuzuarve e ka vrarë policin Zymberi.

Aktakuzën prokurori e kishte bazuar në dëshminë e një pjesëtari të Policisë që ishte në aksion. Ai është i nacionalitetit serb dhe aktualisht ka statusin e dëshmitarit të mbrojtur.

Aktakuza pretendonte se rreth 50 pjesëtarë të Njësisë Speciale Operative – ROSU dhe një grup prej 10 deri 15 personave serbë kishin shkëmbyer zjarr për rreth 20 minuta në afërsi të fshatit Çabër më 26 korrik 2011.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme