Thaçi heq dorë nga pjesëmarrja në Samitin e BERZh-it për shkak të marrëdhënieve me Bosnje Hercegovinën

Prishtinë | 07 Maj 2019 | 17:30 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përfundimisht ka hequr dorë nga pjesëmarrja në samitin e thirrur në Sarajevë, në kuadër të takimit vjetor të Bordit të Guvernatorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Thaçi e falënderon BERZH-in për ftesën dhe trajtimin e barabartë të Kosovës në këtë takim, si dhe shpreh keqardhje për mospjesëmarrjen e tij.

Arsyeja e vetme që ka çuar te mospjesëmarrja e presidentit Thaçi në këtë takim të nivelit të lartë janë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës, të cilat janë në nivelin më të ulët të mundshëm.

Përkundër vullnetit politik dhe gatishmërisë sonë shtetërore që të kemi marrëdhënie të mira fqinjësore me Bosnje Hercegovinën dhe njohje reciproke, fatkeqësisht deri më sot ky vullnet jo vetëm që nuk është pranuar, por shpeshherë edhe është keqpërdorur.

Bosnje Hercegovina ende nuk e ka njohur Republikën e Kosovës dhe për fatin e keq të qytetarëve të të dyja vendeve ky shtet ende e mban në fuqi regjimin e vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës.

Është paradoksale një situatë e tillë, ku përkundër luftës së përgjakshme që ka ndodhur dhe pavarësisht që ende nuk kemi një marrëveshje për normalizim, lëvizja e lirë pa pasaporta dhe pa viza funksionon ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, derisa në anën tjetër Bosnje Hercegovina vazhdon t’i diskriminojë qytetarët e Kosovës me regjim të vizave.

Ne nuk mund të kuptojmë sesi Bosnje Hercegovina aplikon dhe sillet në këtë mënyrë tërësisht antievropiane dhe më të vrazhdë se vetë Serbia.

Kosova mbetet e përkushtuar për fqinjësi të mirë, bashkëpunim rajonal dhe të ardhme euroatlantike, mirëpo nuk pranon të nënshtrohet dhe të diskriminohet nga askush.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme