Thaçi ka një mesazh për qytetarët në dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës

Prishtinë | 17 Shk 2018 | 15:06 | Nga

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes facebookut edhe njëherë ka uruar dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës, duke thënë se ky është akti më i lartë politik që kurorëzoi përpjekjet historike të këtij vendi për të hyrë në familjen e kombeve të lira.

Ka thënë se në këtë vit jubilar, duhet zotuar se të gjithë së bashku do ta ndërtojnë edhe më shumë këtë shtet.

Thaçi shkruan se Kosova është shtet i përjetshëm, është atdheu ynë i përbashkët në të cilin do ta ndërtojmë lumturinë, prosperitetin dhe perspektivën e ndritur për ne dhe brezat që do vijnë pas nesh.

Postimi i plotë i Thaçit:

Sot Kosova ka festën më të madhe, ditën e Pavarësisë.

Dhjetë vjet më parë realizuam ëndrrën e madhe që krahas lirisë, Kosova të bëhet shtet i pavarur, sovran dhe demokratik.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës është akti më i lartë politik që kurorëzoi përpjekjet tona historike, sakrificën dhe synimin për të hyrë në familjen e kombeve të lira dhe sovrane.

Pavarësia e Kosovës u njoh menjëherë nga shtetet mike më të fuqishme të botës demokratike, duke hapur perspektivë të re për qytetarët dhe institucionet tona.

Sot, të gjithë qytetarët tanë festojnë me krenari dhe dinjitet kudo që gjenden në Kosovë, diasporë dhe kudo në trojet shqiptare.

Sot, më shumë se çdo herë qytetarët tanë kujtojnë vlerat supreme të sakrificës për liri të të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të rënë në periudha të ndryshme të historisë së pasur të popullit tonë.

Duke pasur parasysh këtë sakrificë, në këtë vit jubilar zotohemi se do ta ndërtojmë edhe më shumë shtetin tonë, në të cilin do të ndjehen mirë te gjithë qytetarët tanë pa dallim etnie dhe religjioni.

Kosova është shtet i përjetshëm, është atdheu ynë i përbashkët në të cilin do ta ndërtojmë lumturinë, prosperitetin dhe perspektivën e ndritur për ne dhe brezat që do vijnë pas nesh.

Kosova është vend i bekuar që ka miq të fuqishëm në botë në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me shtetet e BE-së dhe më gjerë.

Të gjithë qytetarëve tanë u shpreh urimet më të mira në përvjetorin e dhjetë të pavarësisë së Kosovës.

Gëzuar!

Të ngjashme