Thaçi: MTI kujdestari më i mirë për prodhuesit dhe bizneset vendëse

Prishtinë | 07 Mar 2018 | 15:22 | Nga

Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Faton Thaçi, ka thënë se sektori i përpunimit të drurit  është njëri prej sektorëve të rëndësishëm në Kosovë, veçanërisht për nga numri i bizneseve dhe kontributi në punësim.

Thaçi i bëri komentet në konferencën e organizuar nga “Increase of Competitiveness and Export Promotion (ICEP)”, me temën “Prezantimi i studimit për zinxhirin e vlerës në sektorin e drurit”.

Sipas tij, ky sektor së bashku me atë të ushqimit dhe materialeve ndërtimore  kanë gëzuar një mbështetje edhe nga programet  tjera në kuadër të asistencës për rritjen e aftësive konkurruese të grupeve të caktuara.

Ndërkaq, koordinatorja e ekipit nga Bashkësia Evropiane Corinne Deleu ka deklaruar se sektori i industrisë së drurit është i rëndësishëm dhe duhet të jetë i gatshëm për eksport.

“Studimet në zinxhirin e vlerës janë me rëndësi dhe konsiderojmë se sektori i industrisë së drurit është kryesori dhe është një sektor që do të jetë i gatshëm për eksport dhe se jam e kënaqur që mund të ndajmë rezultatet dhe studimet me të gjithë akterët, por po ashtu edhe me përfaqësuesit me disa nga agjencitë e donatorëve, që po punojnë në zhvillimin e sektorit privat, po zbatojnë programe të reja dhe unë shpresoj që ky studim të jetë i shfrytëzueshëm”, tha koordinatorja Deleu.

Përveç tjerash Thaçi tha se sektori i prodhimit të drurit dhe produkteve të drurit është njëri ndër kontribuuesit në punësimin e punëtorëve në Kosovë në vazhdimësi. Në vitin 2012, nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në këtë sektor, ishin të punësuar 6.5 për qind. Ky trend është ruajtur edhe në vitin në vijim, por në tri vitet e fundit vërehet një tendencë rënie e vogël,  në rreth 5.2për qind. Një trend të ngjashëm e vërejmë edhe te sektori i prodhimeve të tekstilit, me rreth 4.5 për qind të të  punësuarave në tri vitet e para- 2012-2014 .

Thaçi tha se objektive kryesore në të ardhmen paralelisht me përkrahjen e grandeve dhe subvencioneve MTI ka planifikuar në buxhetet e ardhshme do t’i dhamë rëndësi të veçantë gjatë plotësim-ndryshimit të infrastrukturës ligjore të gjitha kërkesave dhe nevojave tuaja për t’i inkorporuar në legjislaturën e re, për t’iu përshtatur nevojave të tregut.

Thaçi shtoi se një ndër infrastrukturat ligjore që ne iu kemi dhënë prioritet janë: Ligji për investime strategjike, që përfshihet edhe sektori i drurit; Ligji anti-dumping, që është ne zbatim e sipër; Ligji për masat mbrojtës dhe importe, që është në proces e sipër; Ligji i tregtisë së brendshme, që do të jetë në favor të prodhuesve dhe bizneseve; si dhe Ligji për materiale ndërtimore.

Në fund të këtij takimi, zv/ministri Thaçi tha se ne si MTI kemi përkrahur dhe do t’i përkrahim prodhuesit me grande dhe subvencione si dhe kemi përkrahur promovimin e produkteve të tyre në panaire pjesëmarrëse në vende të ndryshme të botës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme