Thaçi për ORF: Kosovarët kanë të drejtën e lëvizjes së lirë, njëjtë si evropianët e tjerë

Prishtinë | 30 Maj 2018 | 13:17 | Nga

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dhënë një intervistë Radio Televizionit Publik të Austrisë (ORF), ku ka folur për vizitën në Austri, takimin me kancelarin Kurz, perspektivën evropiane, liberalizimin e vizave dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë.

Televizioni publik austriak në fillim të kësaj interviste përshkruan sesi për shumë shtete jo anëtare, Bashkimi Evropian edhe më tutje mbetet një cak i rëndësishëm.

“E sidomos cak i Kosovës, presidenti i së cilës po qëndron në Vjenë. Ai shpreson të gjejë përkrahjen e Austrisë për përafrimin e Kosovës me BE-në”, kështu e nis ORF intervistën, duke vazhduar më tej edhe me një përshkrim për presidentin Thaçi.

“Tashmë kanë kaluar mbi dhjetë vjet, kur Hashim Thaçi shpalli pavarësinë e Kosovës nga Serbia. Disa nga pritjet mbetën të parealizuara. Në mesin e tyre edhe liberalizimi i vizave. Kosova është shteti i vetëm në Ballkan, për të cilin edhe më tutje vlen regjimi i vizave, ndonëse formalisht janë plotësuar të gjitha kriteret. Në BE edhe më tutje ekziston frika se disa kosovarë mund të keqpërdorimin lirinë e lëvizjes”, transmeton ORF.

Duke folur për procesin e liberalizmit të vizave, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova do të bëjmë çmos që t’u sqarojë qytetarëve se liberalizimi i vizave nuk do të thotë e drejtë për azil.

“Që kosovarët kanë të drejtën e lëvizjes së lirë, njëjtë si evropianët e tjerë, është një çështje edhe njerëzore, humane. Nëse vazhdon izolimi i qytetarëve, atëherë do t’u krijohen hapësira ideologjive të tjera, të cilat janë kundër interesave të BE-së”, ka thënë Thaçi për ORF.

Në Kosovë, sipas presidentit Thaçi, nuk ka lëvizje të emigrantëve të huaj.

Ai ka thënë se Kosova i kontrollon dhe mbron shumë mirë kufijtë, duke bashkëpunuar shumë ngushtë me vendet fqinje dhe shtetet e BE-së.

“Jemi të pakompromis ndaj trafikimit të qenieve njerëzore”, ka thënë Thaçi për ORF.

Presidenti Thaçi mbrëmë është takuar në Vjenë edhe me kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz, shteti i të cilit merr presidencën e radhës së BE-së.

Sipas Televizionit Publik të Austrisë, presidenti Thaçi ka kërkuar nga kancelari Kurz mbështetjen e Austrisë për përafrimin e Kosovës me BE-në dhe për dialogun me Serbinë.

Thaçi ka folur edhe për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, e cila sipas ORF-it, tash e dhjetë vjet ishte përgjegjësi e evropianëve.

“Kosova ka Kodin Penal më modern në rajon, i cili është përpiluar nga ekspertë të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në luftën kundër korrupsionit, Kosova ka qenë e suksesshme. Këtë e kanë vërtetuar edhe përfaqësues të BE-së”, ka thënë Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ditës së sotme pritet të vazhdojë takimet në Vjenë, kurse në mbrëmje austriakët do të provojnë edhe librin biografik për Thaçin “New State, Modern Statesman”.

Të ngjashme