Thaçi: Po finalizohet dekreti për gjendjen e jashtëzakonshme, do të zgjasë 30 ditë

Prishtinë | 18 Mar 2020 | 12:38 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti Hashim Thaçi, tha se është duke u punuar në finalizimin e dekretit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, raporton Ekonomia Online.

Thaçi ka thënë se Zyra Ligjore e Presidencës dhe ajo e Kuvendit të Kosovës janë duke u koordinuar për këtë çështje.

Pas takimit me Drejtorin e Institutit Publik Shëndetësor (IKShP), Naser Ramadani, Thaçi ka dhënë detaje nga përmbajtja e dekretit.

Siç ka treguar kreu i shtetit, në pikën e parë të Dekretit planifikohet që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme për 30 ditë.

Përveç kësaj, Thaçi ka thënë se Dekreti planifikon edhe përfshirjen dhe aktivizimin e Ushtrisë për t’iu dalë në ndihmë autoriteteve të vendit në realizimin e detyrave dhe objektivave.

“Dëshiroj të shpreh mirënjohje për punën që po e bëjnë mjekët. Ishte edhe konstatim i përbashkët se menaxhimin më të mirë të situatës mund ta bëjë vetë qytetari, familja dhe shoqëria me disiplinë dhe përkushtim, duke ndihmuar e respektuar njëri tjetrin dhe duke ia lehtësuar njëri tjetrit këto kohë jo të lehta. Duhet të kemi kujdes maksimal, ta kalojmë sa më shpejtë. Diskutuam me drejtorin, jetojmë në një hapësirë ku epiqendra e Coronavirusit tashmë është ne Evropë”.

“Duhet t’i marrim përvojat e vendeve tjera. Prandaj duke pasur parasysh ato që kemi diskutuar mbrëmë por edhe sot, dhe takime qe kam zhvilluar dhe pas konsultave dhe opinioneve që mora nga drejtori i Institutit, dua të theksoj se tanimë zyra ligjore e presidentit dhe e kuvendit janë duke u koordinuar që të finalizohet dekreti i presidentit të Kosovës, për marrjen e të gjitha masave për parandalimin dhe tejkalimin e kësaj gjendje”.

“Mund ta them, se në minutat vijuese do të informoheni edhe për përmbajtjen e dekretit që përfshinë. Gjendje të jashtëzakonshme 30 ditore, me mundësi vazhdimi varësisht prej rrethanave. Kjo gjendje shpallet me qëllim të parandalimit të COVID-19. Siç e kemi theksuar, në pikën 3 udhëzohet edhe FSK për të ndalë në ndihmë me qëllim të realizimit të detyrave”.

Të ngjashme