Thaçi premton mbështetje institucionale për viktimat e dhunës seksuale

Prishtinë | 03 Nën 2017 | 12:52 | Nga

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka pritur sot një delegacion të aktivisteve për të drejtat e viktimave të dhunës seksuale, të kryesuar nga drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, Feride Rushiti.

Kreu i shtetit iu ka shprehur atyre mirënjohje për angazhimin e palodhshëm për gati dy dekada, për këtë çështje.

“U jam mirënjohës, sepse keni qenë këmbëngulëse. Falë angazhimit tuaj, tani ka filluar edhe përkujdesja institucionale”, u shpreh presidenti Thaçi.

Thaçi u premtoi aktivisteve për të drejtat e viktimave të dhunës seksuale se përkrahja e institucioneve asnjëherë më nuk do të mungojë.

“Do të keni përkrahjen time personale dhe institucionale”, u shpreh ai.

Ndërsa, drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, Feride Rushiti, theksoi se shoqëria civile ka qenë e angazhuar tërë kohën dhe falë këtij angazhimi është arritur të ndërtohet infrastruktura e nevojshme për të ofruar mbështetje për viktimat e dhunës seksuale.

Të ngjashme