Thaçi pret pjesëtarët e FSK-së që u dekoruan në Wells

Prishtinë | 04 Nën 2016 | 15:07 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti Hashim Thaçi ka pritur në takim komandantin e FSK-së, Rrahman Rama, së bashku me pjesëtarët e FSK-së që garuan në “Cambrian Patrol” të Britanisë së Madhe.

Skuadra e Brigadës së Reagimit të Shpejtë e Forcës së Kosovës (FSK) e përbërë prej 8 pjesëtarësh është dekoruar ditë më parë me medaljen e artë në një ndër ushtrimet më sfiduese dhe prestigjioze në botë “Cambrian Patrol” në Wells të Mbretërisë së Bashkuar.

Me këtë rast, presidenti Thaçi e përgëzoi komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama për sukseset që FSK-ja po i arrin në zhvillimin e saj të gjithëmbarshëm profesional, mbështetjen që po u jep institucioneve dhe qytetarëve të vendit, e sidomos për suksesin e FSK-së të treguar në arenën ndërkombëtare dhe depërtimin e suksesshëm të saj, duke potencuar medaljen e artë që Skuadra e Brigadës për Reagim të Shpejtë(BRSH) e fitoi këtë vit në Wells të Britanisë së Madhe, pranimin e kadetëve të FSK-së në Akademinë ushtarake amerikane “West Point” si dhe pjesëmarrjen e suksesshme në ushtrime të përbashkëta në vend, rajon dhe më gjerë, si dhe për shkallen e lartë të ndërveprimit gjatë realizimit të aktiviteteve.

Më tej, presidenti Thaçi duke iu drejtuar pjesëtarëve të skuadrës së BRSH-së, fituese të medaljes së artë në garën ndërkombëtare tha, se, Kosova ndjehet krenare me sukseset e treguara të ushtarakëve të Forcës së Sigurisë të cilat dëshmojnë profesionalizmin, përkushtimin, motivimin e lartë si dhe disiplinën e institucionit në përgjithësi. Gjithashtu, i pari i vendit tha se çdo sukses i FSK-së është një hap përpara drejt transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur si dhe një hap përpara në anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Nga ana e tij, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama falënderoi presidentin e vendit, Thaçi për kujdesin, mbështetjen si për angazhimin në drejtim të avancimit të FSK-së dhe krijimit të mundësive që Forca të dëshmojë që është e aftë, e gatshme dhe e ndërveprueshme me ushtritë e shteteve partnere dhe shteteve tjera si dhe mbështetjen për marrjen e përgjegjësive dhe detyrave të reja, ato të Forcave të Armatosura të Kosovës.

Skuadrës së FSK-së e cila e fitoi garën në përbërje nga: Toger Manushaqe Nura, menaxhere e skuadrës, nëntoger Ismail Hoxha, komandant i skuadrës si dhe nëntogerë Fiton Kastrati, tetarët Feti Pronaj, Mensur Haziri, tetarit Daut Nishori dhe ushtarëve Kushtrim Abazi, Qemajl Abazi, Valon Hajdari, Nexhepi Begu, Agim Qorri, Liridon Thaçi dhe Fatmir Maqastena iu dha mundësia që para Presidentit Thaçi dhe Komandantit, gjeneral Rama ti shpalosin eksperiencat e tyre gjatë garës, sfidat dhe suksesin e arritur në garën në të cilën doli fitues skuadra e FSK-së.

Në këtë ushtrim përveç 102 skuadrave nga njësi të ndryshme të ushtrisë britanike kanë marrë pjesë gjithsej edhe 18 skuadra mysafire, përfshirë ushtritë nga vendet si Gjermania, Italia, Zvicra, Kanada, Pakistani, Nepali, Brazili, Kili, Bosnja dhe Hercegovina, Irlanda, India, Belgjika, Çekia, Australia, Zelanda e Re, Gjeorgjia, Meksika dhe Letonia.

Të ngjashme