Thaçi reagon për ndalesën e artistëve kosovarë në Serbi

Prishtinë | 30 Maj 2018 | 12:49 | Nga

Presidenti i Kosovë, Hashim Thaçi reagoi ndaj ndalesës që i’u bë artistëve të Kosovës që u nisën për të marrë pjesë në ekspozitën “Mirëdita, Dobar Dan” në Beograd.

Disa fotografi që përmbajnë flamurin e Kosovës dhe simbole të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë ndaluar në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.

Një numër fotografish dhe një katalog ekspozite nga artistja kosovare Eliza Hoxha që përmbajnë flamurin e Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe simbole të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë lënë ta kalojnë kufirin për në Serbi ku do të shfaqeshin në një ekspozitë.

Thaçi tha se kjo sjellje nga autoritetet serbe është në kundërshtim me përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve.

“Arti, kultura, sporti nuk duhet të pengohen nga politika, veçanërisht kur angazhohen për paqe e pajtim.Për më tepër, kjo sjellje e autoriteteve të Serbisë është në kundërshtim të frymës së bashkëpunimit që po ndërtojmë në rajon dhe në kundërshtim me përpjekjet për të vënë raporte europiane në mes vendeve të rajonit”, shkroi Thaçi në Facebook.

Ai po ashtu lidhi këtë ndalesë me vënien në rrezik të ardhmen evropiane të rajonit.

“Kjo bëhet edhe më e rëndë pas mesazheve të qarta të dhëna në Samitin e Sofjes në mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor se vendet e Europës Juglindore nuk kanë të ardhme europiane pa ndërtim dhe normalizim të marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore”, tha Thaçi.

Të ngjashme