Thaçi shpërndan abetare për filloristët shqiptarë në Kanada

Prishtinë | 14 Sht 2016 | 09:34 | Nga

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po qëndron në një vizitë në Kanada ku po zhvillon takime të shumta me komunitetin shqiptar atje, dhe jo vetëm.

Pas takimeve që ka zhvilluar me kryeministren e Kanadasë e me zyrtarë tjerë shtetërorë, Thaçi është pritur nga shoqatat e komunitetit shqiptar nga rajoni i Torontos në Kanada.

Në këtë aktivitet, presidenti Thaçi ka shpërndarë edhe Abetaren shqipe për filloristët shqiptarë në Kanada.

“Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, për brezat e rinj shpërndamë edhe Abetaren tonë shqipe”, theksoi Thaçi.

Thaçi i ka falënderuar nga afër bashkatdhetarët tanë për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm ndër vite dhe i ka përgëzuar për integrimin e tyre në jetën sociale, ekonomike e politike të Kanadasë.

“U ndjeva krenar për të arriturat e tyre të cilat u konfirmuan edhe nga Ministrja e Ontarios për Shtetësi dhe Imigrim, znj. Laura Albanese, nga Kryetarja e Bashkisë së Mississaugas, znj. Bonnie Crombie, si dhe nga deputetë të Parlamentit të Ontarios”, theksoi presidenti Thaçi.

Ai ka siguruar komunitetin shqiptar në Kanada se do të kenë vëmendjen e plotë të institucioneve të Kosovës dhe se ata do të jenë ura lidhëse mes Kosovës e Kanadasë.

“Gjithashtu, falënderova edhe qeverinë dhe popullin kanadez për mbështetjen e madhe gjatë periudhës së luftës më ‎1998 – 1999, për kontributin në kuadër të KFOR-it dhe për përkrahjen për pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, tha presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme