Thellohet varfëria në Kosovë, nga marsi në qershor mbi 400 familje iu shtuan skemës sociale

Prishtinë | 03 Sht 2020 | 13:37 | Nga Ekonomia Online

Pandemia COVID-19 ka rënduar gjendjen ekonomike në vend. Krahas mbylljes së bizneseve që nuk i mbijetuan situatës së rënduar financiare, është rritur edhe numri i të papunëve.

Për gjashtë muaj, për sa vendi po përballet me këtë situatë, sektorët më të rënduar të ekonomisë, ndër të tjera janë edhe ekonomitë familjare, gastronomia, sektori i prodhimit e i ndërtimit.

Ndërkaq si pasojë e kësaj gjendjeje është shtuar edhe numri i familjeve që kërkojnë asistencë sociale.

Në një përgjigje për KOHËN, Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se që nga marsi është shtuar numri i familjeve përfituese nga kjo ndihmë.

417 familje i janë shtuar listës së kësaj kategoria që nga marsi e deri në qershor.

Në janar numri i familjeve që kanë qenë përfituese ishin 24.229, në shkurt numri kishte rënë për 51 familje dhe ishte 24.178. Në mars numri arriti në 24.198, në prill 24.697, në maj 24.864 dhe në qershor 24.615.

Ndërkaq për muajt korrik dhe gusht, ASK-ja ende nuk ka publikuar të dhënat.

Referuar humbjes së vendeve të punës përgjatë periudhës së ballafaqimit të Kosovës me COVID-19, kjo agjenci thotë se në të dhënat e tremujorit të parë, numri ishte i vogël për shkak se një pjesë e bizneseve nuk i kishin mbyllur aktivitetet.

Mirëpo sipas tyre, ndikimi i pandemisë në humbjen e vendeve të punës pritet të jetë më i theksuar në tremujorin e dytë.

E, faktor kyç për mbajtjen e ekonomisë aktive në vend, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se është qarkullimi i parasë. Sipas tij, institucionet duhet të fokusohen që të fusin sa më shumë para në qarkullim.

Kjo, sipas Rukiqit mund të bëhet përmes ndërtimeve publike, mjeteve që mund të shkojnë për projekte kapitale, përkrahjes së drejtpërdrejtë të bizneseve apo duke ua lehtësuar atyre qasjen në financa përmes bankave.

I pari i Odës Ekonomike ka thënë për KOHËN se shumica e bizneseve, pavarësisht goditjes që e kanë pasur nga pandemia janë duke pritur edhe pjesën e ndihmës për rimëkëmbje, që të shohin nëse do të mund t’iu dalë në ndihmë në mënyrë që të mbijetojnë.

“Ekonomia ka nevojë për para në qarkullim. Kjo është arteria që e mban ekonominë gjallë dhe aktive. Pa qarkullim të parasë nuk ka të hyra për buxhetin e as mundësi që sektori privat të mbijetojë. Fokusi kryesor duhet të jetë futja e sa më shumë parave në qarkullim, qoftë përmes ndërtimeve publike, mjeteve që mund të shkojnë në projekte kapitale ose përkrahjes së drejtpërdrejt që munden me ju bë bizneseve apo duke ua lehtësuar qasjen në financa përmes bankave”, është shprehur ai.

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e parë (TM1) 2020 është 29.1%.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 17.1%; prodhimi me 12.0%, arsimi me 10.7%, si dhe ndërtimtaria me 10.6%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Sipas rezultateve të AFP-së, në TM1 2020, shkalla e papunësisë është 25.0%.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme