Themelohet ekipi për mbrojtjen dhe trajtimin e fëmijëve kryerës të veprave penale

Prishtinë | 15 Tet 2021 | 16:10 | Nga Ekonomia Online

Zv.Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, Ardian Bajraktari së bashku me Zv.Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së  Financave, Punës dhe Transfereve, Enis Spahiu, sot kanë nënshkruar vendimin për themelimin e ekipit për monitorimin e zbatimit të Udhëzimit Administrativ për mbrojtjen dhe trajtimin e fëmijëve kryerës të veprave penale nën moshën e përgjegjësisë penale.

Bajraktari ka bërë të ditur se përmes këtij vendimi është themeluar ekipi i cila ka për qëllim përmirësimin, mbrojtjen dhe trajtimin e fëmijëve kryerës të veprave penale si dhe për të komunikuar dhe koordinuar veprimet dhe aktivitetet ndërmjet institucionet publike, të nivelit qendror dhe lokal, organizatat e shoqërisë civile si dhe personave tjerë fizik dhe juridik në Kosovë.

Në një komunikatë për media, Ministria e Drejtësisë tha se ky ekip bashkërendon aktivitetet edhe me Komitetin Ndërministror për të Drejtat e Fëmijës.

“Sipas këtij vendimi të nënshkruar sot, ky Ekip bashkërendon aktivitetet me Komitetin Ndërministror për të Drejtat e Fëmijës, Këshillin për të drejtat e fëmijës, Këshillin e përgjithshëm të Shërbimeve Sociale dhe Familjare, Ekipin për të drejtat e fëmijës, me personat fizikë dhe juridikë si dhe me përfaqësues të organizatave të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare dhe organizatave joqeveritare, për të kontribuar në punën e Ekipit dhe për trajtimin e çështjeve të të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijës në konflikt me ligjin, nën moshën e përgjegjësisë penale”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme