Themelohet qendra e gjenocidit në Zvicrës

Prishtinë | 02 Kor 2019 | 15:21 | Nga Ekonomia Online

Më 30 qershor është themeluar qendra “GJENOCIDI NË KOSOVË PLAGË E HAPUR” në Bernë të Zvicrës.

“Qendra ka për qëllim të shndërrohet në rrjet të organizuar intelektualësh dhe veprimtarësh, të cilët angazhohen vullnetarisht për informimin e drejtë dhe ndriçimin e plotë të gjenocidit në Kosovë dhe të këmbëngulin në domosdoshmërinë e ngadhënjimit të drejtësisë”, thuhet në njoftimin për media.

“Në takimin e 30 qershorit u miratua logoja e qendrës, ku katër petalet e lulëkuqes paraqesin katër format e veprimeve të gjenocidit që u zbatuan në Kosovë: vrasjet, dhunimet seksuale, spastrimi etnik dhe shkatërrimi i objekteve që lidhen me përkatësinë etnike dhe identitetin shqiptar. Ndërsa në vend të kokrrave të zeza të lulëkuqes, në logo janë prezantuar figura burrash, grash, djemsh dhe vajzash për të përfshirë të gjitha kategoritë e shqiptarëve që ishin shndërruar në objekt shkatërrimi nga politika e gjenocidit të Serbisë”.

Nismëtarët e themelimit të kësaj qendre vendosën t’ia besojnë udhëheqjen e saj politologut Bardhyl Mahmuti.

“Ftojmë të gjithë ata të cilët janë të interesuar që vullnetarisht të ndihmojnë për ndriçimin e gjenocidit në Kosovë, kudo qofshin në botë, t’i bashkëngjiten qendrës “GJENOCIDI NË KOSOVË-PLAGË E HAPUR” dhe të japin kontributin e tyre për ta bërë të njohur në çdo cep të globit tragjedinë që ka përjetuar populli shqiptar i Kosovës”.

Të ngjashme