Themelorja në Gjakovë arsyetohet me mungesë gjyqtarësh pse s’është caktuar seanca ndaj Gashit e Shalës

Prishtinë | 03 Jan 2019 | 19:23 | Nga Ekonomia Online

Në muajin maj bëhen një vit prej kur Prokuroria në Gjakovë ngriti aktakuzë ndaj Endrit Shalës, tash ministër i Tregtisë dhe Industrisë, ministrit të Diasporës, Dardan Gashi, dhe Sami Lushtakut.

Por, asnjë seancë gjyqësore nuk është mbajtur në këtë rast, transmeton KTV.

Gjykata Themelore në Gjakovë është arsyetuar me mungesën e gjyqtarëve në degën e saj në Malishevë.

Ndërsa, nuk ka dhënë asnjë datë se kur do ta caktojë këtë seancë, sepse zyrtarë të saj kanë thënë se kanë prioritet raste të tjera.

Gashi, Lushtaku dhe Shala akuzohen për posedim të paautorizuar të armëve, pasi ishin parë në një video teksa festonin në odën e Fatmir Limajt.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, kishte mbledhur miq e dashamirë në odën e tij në Banjë të Malishevës, dhjetorin e 2017-s, pas lirimit nga akuzat për korrupsion sa ishte ministër i Transportit.

Prokurori Ismet Tofaj i ka thënë KTV-së nëpërmjet telefonit se Prokuroria e ka kryer punën e saj dhe po pret Gjykatën për thirrjen e seancës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme