Thënia e Bushit për Kosovën kthehet në instalacion në Tiranë për 30 vjetorin e marrëdhënieve ShBA-Shqipëri

Prishtinë | 18 Mar 2021 | 19:37 | Nga Ekonomia Online

Deklarata e presidentit amerikan George W. Bush për pavarësinë e Kosovës është përkujtuar përmes një instalacioni në kryeqytet në 30 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Enough is Enough” është një vepër arti publik e artistit Alban Muja, e cila lind prej deklaratës së bërë prej Presidentit George Bush gjatë vizitës së tij në Tiranë në vitin 2007: “Ka ardhur koha, madje sa më shpejt, që të themi “Mjaft më!” (Enough is enough!), Kosova është e pavarur!”, duke i dhënë një mesazh të qartë të gjithë politikës ndërkombëtare, por edhe duke rikujtuar edhe një herë fatet e lidhur të Kosovës e Shqipërisë.

E konceptuar si një skulpturë në hekur e cila, si një urë, lidh dy brigjet e lumit të Lanës, në një prej zonave më urbane të kryeqytetit, kjo është e para vepër e këtij lloji për artistin Muja.

Vepra, e përbërë prej germave formuese të togfjalëshit ‘Enough is Enough’, është rreth 17.5 metra e gjatë dhe secila germë 1,8 metra e lartë.

Temat e kujtesës, luftës së Kosovës dhe përfaqësimit material të dhimbjes janë tema të vazhdueshme të hulumtimit artistik të Alban Mujës. “Enough is Enough” është një vazhdimësi e diskursit që ngre Muja në punën e tij, duke e vendosur publikun përballë çështjeve të mëdha të luftës, emigrimit e ndarjes, por edhe rëndësisë së vlerave humaniste, si ndihmesa kolektive, gjendja e njeriut për njeriun.

Më 15 Mars 1991 Shqipëria rivendosi marrëdhëniet diplomatike me SHBA. 100 ditë më pas Sekretari Amerikan i Shtetit James Baker vizitoi Tiranën ku ju rezervua një pritje e shprehjes kuptimplotë të respektit dhe aleancës me SHBA, të cilën Sekretari Baker e përkufizoi: “Ne jemi me ju, ju jeni me ne”./Euronews/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme