Thyssenkrupp ndërton fabrikën e çimentos në Kosovë

Prishtinë | 29 Pri 2022 | 20:49 | Nga Ekonomia Online

Kompania gjermane “Thyssenkrupp – Polysius”, që është një ndër kompanitë më të mëdha në botë për inxhinierinë, ndërtimin dhe shërbimin e të gjitha impianteve dhe sistemeve industriale me përvojë 160-vjeçare, sjell eksperiencën e saj edhe në Kosovë me zhvillimin e projektit më të madh të prodhimit të çimentos në Kosovë.

“Thyssenkrupp Industrial Solutions” nënshkroi marrëveshje me kompaninë “Wallingford International Kosovo LLC” për zhvillimin e projektit (EPC+CM – engeeniering, procurement, construction and construction managment) për ndërtimin e fabrikës së çimentos në komunën e Klinës.

Për këtë qëllim, tre inxhinierët e kompanisë “Thysenkrup – Polysius” vizituan zonën, ku planifikohet të ndërtohet fabrika dhe u zotuan se do ta dizajnojnë në përputhje me standardet evropiane më të avancuara mjedisore dhe teknike, duke aplikuar inovacionet e fundit në mbrojtje të mjedisit në eliminim të emetimit të gazrave, pluhurit si dhe amortizimin e zhurmës, duke përdorur kombinimin në konsumin e energjisë përmes energjisë se gjelbër të rinovueshme.

Ekspertët e “Thysenkrup” u deklaruan se janë shumë të lumtur që janë në Kosovë dhe që janë zhvillues të projektit.

“Ne do të sjellim në Kosovë eksperiencën e kompanisë sonë, që e ka mbi 160 vjet, por edhe pajisjet dhe teknologjinë e fjalës së fundit. Ne do ta zhvillojmë këtë projekt nga kryerja e analizave, hulumtimeve fillestare deri te ndërtimi dhe lëshimi në punë, duke aplikuar inovacionet e fundit”, thanë ata.

Implementimi i projektit do të hapë mundësi punësimi për më shumë se 500 punëtorë te specializuar dhe punëtorë të tjerë profesionalë, përveç kësaj edhe ndërlidhjen me punësim indirekt me aktivitetet e ndërlidhura me fabrikën.

Të ngjashme