Togeri i FSK-së fiton çmimin “Top Student”

Prishtinë | 02 Qer 2017 | 14:59 | Nga

Në mesin e 30 studentëve, oficerë nga 8 shtete të botës, pjesëtari i Batalionit të Tretë të Reagimit të Shpejtë(BRSH), të Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK), kapiten Adison Gara fitoi çmimin “Top Student”, pra studenti më i mirë në përfundimin e Kursit për Instruktor të Operacioneve Shumëkombëshe në Mbështetje të Paqes (Multinational Peace Support Operations Instructor Training Course) në Vyshkov të Republikës së Çekisë.

Trajnimi ka përfshirë aktivitete të ndryshme rreth përgatitjeve të instruktorëve për operacione paqeruajtëse, dhe është zhvilluar nga data 30 prill deri më 03 qershor 2017, i planifikuar dhe i udhëhequr nga Ekipi Këshillues Ushtarak i Mbretërisë së Bashkuar (British Military Advisory Team- (BMAT). Pjesëtarët e FSK-së, pjesëmarrës në këtë kurs, treguan rezultate të larta si në aspektin akademik gjithashtu edhe në atë praktik gjatë zhvillimit të operacioneve.

Pjesëmarrja e pjesëtarëve të FSK-së në Kursin e Instruktorëve të Operacioneve Shumëkombëshe në Mbështetje të Paqes (Multinational Peace Support Operations Instructor Training Course), është në vazhdën e bashkëpunimit dypalësh me Britaninë e Madhe.

Qëllimi i kursit është pajisja e instruktorëve me njohuri teknike të nevojshme dhe përgatitja e tyre me aftësi konvencionale ushtarake.

Përveç kapiten Adison Garës, i cili u shpall edhe studenti më i mirë i gjeneratës, këtë kurs e vijuan edhe kapiten Alban Bujupi, toger Elbasan Sabedini dhe rreshter major Bedri Zuka.

Është fakt i njohur se pjesëtarët e FSK-së, qofshin oficerë apo nënoficerë, kudo në studime, ushtrime, trajnime dhe operacione jashtë vendit po tregojnë rezultate të shkëlqyera.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme