“Toka” mbledh 40 të rinj në kamp, i nxit për vullnetarizëm e mbrojtje të mjedisit

Prishtinë | 18 Gus 2017 | 16:06 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ka filluar kampi “Dizajni dhe Natyra” me 40 të rinj nga e gjithë Kosova, të cilët për një javë do të qëndrojnë në Qendrën Rekreative të Gërmisë, ku përmes aktiviteteve të ndryshme socializuese dhe edukative ata do të zhvillojnë projekte të punës vullnetare të cilat do t’i implementojnë në komunat e tyre.

Jehona Gjurgjeala, drejtoreshë ekzekutive e organizatës joqeveritare “Toka”, në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se është viti i tretë që “Toka” organizon kampe të tilla. Ajo ka thënë se qëllimi i kampit është edukimi joformal i të rinjve.

“Puna që e bënë ‘Toka’ ka të bëjë me edukimin joformal edhe me punën vullnetare dhe ajo që kemi parë është se të rinjtë janë të gatshëm të bëjnë punë vullnetare. Nëse të rinjve u jepet mundësia për punë të cilat ata kanë dëshirë t’i bëjnë, ata nuk dorëzohen dhe shkojnë deri në fund të një procesi, apo dhe aktiviteti cilido qoftë ai”, ka thënë Gjurgjeala.

Përmes projekteve të zhvilluara gjatë kampit “Dizajni dhe Natyra”, të rinjtë pjesëmarrës synojnë të përmirësojnë hapësirat publike të gjelbra në Kosovë.

Redita e cila është pjesëmarrëse për herën e pestë në kampe sikurse ky i OJQ “Toka”, ka thënë se aktivitetet janë atraktive. Përpos kësaj ajo ka treguar që ka arritur të njoh kultura dhe njerëz të rinj.

“Këtu bëjmë shumë aktivitete të mira, njohim edhe shumë shokë e shoqe të reja. Më e mira është se stimulohet puna vullnetare, nuk kam qenë shumë vullnetare, por tash e tutje kërkoj dhe mundohem të gjej aktivitete të cilat kërkojnë vullnetarë. Puna vullnetare të bënë më të pjekur si person dhe t’i kuptosh gjërat më ndryshe”, ka thënë kjo vullnetare nga Prishtina.

Kurse Endriti, i cili vjen nga qyteti i Lipjanit, ka thënë se të mësuarit në mënyrë joformale është praktikë e mirë për të nxënë mësime.

“Kampi ka qenë e vazhdon të jetë shumë i mirë. Ky është viti i dytë që marrë pjesë në kampet e organizuara nga ‘Toka’. Puna vullnetare është një vetëdijesim sepse nëse vazhdon të bësh punë vullnetare, ti kontribuon për vendin tënd edhe për atdheun tënd. Kjo është një ndiejnë e papërshkrueshme”, ka thënë ai.

Ky kamp organizohet nga Organizata Kosovare për Talent dhe Arsim – TOKA dhe ka për qëllim të promovojë vullnetarizmin edukativ në Kosovë si dhe të nxisë qytetarinë aktive përmes punës vullnetare.

Kampi organizohet me mbështetjen e fondacionit “Unë e du Kosovën”, organizatës botërore për mjedis “WWF Adria” dhe Komunës së Prishtinës.

Partnerët të cilët do të jenë pjesë e organizimeve gjatë kampit janë organizata VORAE “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians”, komuniteti “Termokiss” dhe studio e arkitekturës “Architecture for Humans”.

Të ngjashme