Topalli: Motori i VV-së ka kaluar në PSD, kjo na bën më të fuqishëm

Prishtinë | 09 Maj 2019 | 08:38 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Faton Topalli, ka thënë se Lëvizjes Vetëvendosje i është larguar motori i saj.

Ai këto komente i ka bërë në emisionin Sytë 7 në Klan Kosova, duke shtuar se në PSD është një grup i madh aktivistësh që kanë një përvojë të gjatë politike dhe sipas tij, kjo gjë e bën partinë më të fuqishme.

“Shënimi i njëvjetorit të PSD-së, në fakt është një ditë e veçantë për qytetarët duke marrë parasysh faktin se një parti për një vit, ka arritur gjëra të mëdha. Edhe për PSD-në kjo është një ditë e veçantë sepse ne tani bëjmë një bilanc se çfarë kemi punuar për një vit. Natyrisht se jemi krenarë për atë se çfarë kemi arritur”.

“Prishtina dhe Kamenica janë dy komuna të suksesshme të udhëhequra nga PSD-ja të cilat e kanë dëshmuar se janë shumë transparente. Për shembull në Komunën e Prishtinës, prej 16 drejtorëve – shtatë prej tyre janë gra. Kjo shifër është edhe më e lartë në Kamenicë ku nga 11 drejtorë, gjashtë prej tyre janë gra”.

“Mendoj se kjo është një prej elementeve shumë të rëndësishme të Socialdemokracisë. USAID e ka shpallur komunën e Prishtinës si më transparenten në Kosovë”.

“Është e drejtë e opozitës që të bëjë kritika. Mirëpo mjerisht politika në Kosovë është se opozita përpiqet vazhdimisht që ta shkatërrojë pozitën. Ne si PSD, por edhe gjatë kohës në VV, për disa vite me radhë kemi folur për qeverisjen e mirë të Shpend Ahmetit në Prishtinë, dhe tani papritmas u bë qeverisje e keqe”.

“Jemi një grup i madh aktivistësh që kanë një përvojë të gjatë politike, në një far mënyrë, motori i VV-së ka kaluar në PSD. Kjo është ajo që e bën të fuqishme PSD-në”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme