Trafiku Urban s’ka problem me të hyrat, paguhet në mënyrë të rregullt nga komuna

Prishtinë | 30 Nën 2020 | 08:15 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kompania Trafiku Urban këtë vit nuk ka pasur shkurtim të buxhetit, ngase buxheti për vitin 2020 kishte qenë i planifikuar më herët. Kështu për Ekonomia Online ka pohuar drejtori i Trafikut Urban, Lulzim Rexhepaj.

Tutje Rexhepaj, ka shtuar se Linja e Aeroportit është duke operuar me humbje dhe për atë arsye janë reduktuar qarkullimet në mënyrë që të zvogëlohen humbjet.

“Buxheti ka qenë i planifikuar më herët për vitin 2020, dhe deri më tani nuk ka ndonjë shkurtim të tillë. Linja e Aeroportit edhe tash operon me humbje, por e sqarojmë për publikun se janë reduktuar qarkullimet nisjet për aeroport tani janë të reduktuara në kohën e pandemisë, edhe numri i udhëtarëve edhe fluturimet janë të reduktuara dhe ju kemi përshtatur situatës dhe në këtë formë i kemi zvogëluar humbjet”.

Pavarësisht vështirësive që ka hasur Trafiku Urban në kohë pandemie, Rexhepaj thotë se qëndrojnë mirë me të hyrat, ku ai thotë se në baza mujore paguhen nga komuna e Prishtinës.

“Trafiku Urban me të hyrat qëndron mirë këtë e themi publikisht për shkak se paguhemi në baza mujore në mënyrë  të rregullt nga komuna e Prishtinës, normal që të hyrat janë zvogëluar për shkak se është zvogëluar edhe operimi, mirëpo si menaxhment jemi të përkushtuar që përpos shpenzimeve operative dhe disa investime që i kemi bë për mirëqenien përkushtimi është që t’i shlyejmë edhe borxhet e trashëguara”.

Ai është shprehur se janë të përkushtuar që t’i mbulojnë shpenzimet operative, pagat e punëtorëve dhe që të shlyejnë kredinë që e kanë për obligim nga BERZh-i.

“Dëmet e shkaktuara dihet që janë të mëdha dhe si çdo biznes dihet që jemi goditur edhe ne, realisht nuk kemi përcaktuar diçka shifra të sakta, por dua të theksoj se jemi në bashkëpunim të ngushtë dhe me mbështetjen e vazhduar me komunën e Prishtinës,  jemi optimist që në qoftë se nuk do të kemi ndonjë goditje më të madhe ne do t’ia dalim me sukses që t’i mbulojmë shpenzimet operative, pagat e punëtorëve dhe kredinë që e kemi obligim nga BERZh-it”.

“Po jemi të informuar, meqë stafi më i madh i ndërmarrjes është në kontakt me qytetarët, bartja e maskës tash më dihet, po kriteri tjetër që është mbajtja e distancës na imponon mbajtjen e numrit të kufizuarve të udhëtarëve që mund të qarkullojnë, dhe me këtë i dimë vështirësitë që i kanë qytetarët sepse ju bie shumë të presin për autobusin e radhës, mirëpo kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve sepse me autobusët që kemi nuk mund të ofrojmë autobusë më shpesh sepse edhe hasim shumë shpesh në bllokada në trafik dhe pra nuk mund të rritet numri i autobusëve dhe nuk mund të rritet frekuentimi i tyre dhe duhet të vazhdojmë me këtë orar që jemi tani”, ka thënë ai për EO.

Të ngjashme