Trajnimi profesional i domosdoshëm për të rinjtë kosovarë

Prishtinë | 02 Maj 2019 | 17:02 | Nga Nora Kelmendi

Po vazhdon konferenca e organizuar nga Gizi Gjerman së bashku me Fondacionin Friedrich Ebert dhe Odën Ekonomie Gjermano-Kosovare, me temën “Arsimi profesional dhe orientimi profesional janë politikë ekonomike”, raporton Ekonomia Online.

Aty Ansgar Klinger nga Sindikata e Arsimit dhe Shkencës në Gjermani, tha se në ditët e sotme, trajnimi profesional është një argument vendimmarrës për të gjithë të rinjtë që duan të aftësohen për profesionet e tyre të ardhshme.

“Trajnimi profesional është një argument vendimmarrës në ditët e sotme pra na duhet përgjegjësi publike dhe partneritet shoqëror dhe social pasi që janë dy çështje të rëndësishme të aftësimit profesional”, tha Klinger.

Ndërsa Isuf Qala, drejtor i Shkollës Teknike “Pjetër Bogdani”, tha se shumica e pjesës praktike nga nxënësit e kësaj shkolle kryhet mu në këtë shkollë.

Sipas Qalët, nxënësit e klasave të dhjeta kryejnë vetëm 6 orë praktikë në vit, ndërsa ata të klasave të 11-ta dhe 12-ta kryejnë 12 orë praktikë në vit.

“Që nga paslufta me ndryshimin e destinacioneve të ndërmarrjeve në Kosovë atëherë ndryshimet teknike u zbehën pak. Dikur drejtimet teknike kanë qenë bartës së industrisë në Kosovë. Ne ende nuk kemi një vetëdijesim nga prindërit e qytetarët që të ndjekin shkollat teknike. Struktura e arsimit profesional ka ndryshuar, neve në Kosovë po na ofrohet një revolucion dhe revolucioni në arsim nuk duhet të ndodhë”, tha Qalaj.

Ndërsa, Havushe Bunjaku, e cila është pronare e kompanisë “99 Lule”, tha se ajo për kompaninë e saj kërkon agronomë dhe teknikë të pylltarisë por sipas saj as në Novobërdë ku ajo e zhvillon biznesin, nuk ka pas mundësi të gjejë kandidatë për fushë të tillë. Ajo thotë se obligohet që nga Shqipëria të punësojë ekspertë të agronomisë, e gjithë kjo pasi në Kosovë ka mungesë të njohësve të kësaj fushe.

Të ngjashme