Transport falas vetëm për një pjesë të Prishtinës

Prishtinë | 05 Dhj 2020 | 10:24 | Nga Ekonomia Online

Mbi 400 mijë euro në muaj paguan Komuna e Prishtinës për 260 mijë kilometra transport publik në kryeqytet.

Këtyre mjeteve zakonisht u shtohen edhe 40 centët për biletë nga qytetarët, por që deri në fund të dhjetorit udhëtimi në “Bregun e Diellit”, “Kodrën e Trimave”, “Mat” e “Emshir” do të jetë pa pagesë, raporton koha.

Ideja ishte propozuar fillimisht në Kuvendin Komunal të Prishtinës nga PDK-ja, si masë ndihmëse në pandemi derisa kur ajo u miratua, kryetari Shpend Ahmeti e lidhi me nivelin e lartë të ndotjes së ajrit në kryeqytet.

Por, tollovitë vazhdojnë të jenë prezente dhe rritjen e shfrytëzimit të transportit publik në masë më të madhe e pengojnë rregullat anti-COVID ku në një autobus lejohen vetëm gjysma e udhëtarëve, apo 25 në një vijë transporti.

Kjo ka shkaktuar tollovi në stacione autobusësh, ku ndërmarrja thotë se ka rritur.

Qytetarët shpresojnë në ngritjen e vetëdijesimit për shfrytëzimin e trafikut publik në vend të automjeteve private që, sipas tyre, janë fajtore për krijimin e tollovisë në qytet.

Të tjerë qytetarë thonë se një vendim i tillë do të duhej të mbetej në fuqi për më gjatë se një muaj, apo të lirohen nga pagesa kategori të caktuara.

Megjithatë, nga pagesa falas janë të “përjashtuar’’ qytetarët të cilët nuk jetojnë në zonat nëpër të cilat kalojnë linjat e trafikut urban.

Një problem i tillë paraqitet për banorë të lagjes “Hajvalia’’ të cilët për transport në kryeqytet shfrytëzojnë linjën private “24 yjet”, e cila kalon nëpër këtë lagje.

Por, ndihma për trafikun urban si ndërmarrje komunale, pa përfshirë në këtë subvencion edhe kompanitë private, ka ngjallur reagim të këtyre të fundit.

E, përpos që linjat e trafikut urban nuk prekin disa lagje të Prishtinës, ato nuk kalojnë as nëpër fshatra. Si shqetësim është ngritur nga këshilltarë komunalë të zonave rurale, por edhe nga vetë banorët.

Kryetari Shpend Ahmeti ka thënë se tenderi për linjat e para private është gati si masë e propozuar në planin e mobilitetit dhe se është shtyrë për shkak të pandemisë. Ai tha së në janar do të procedohet tutje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme