Tre persona vdiqën në rrethana tragjike të dielën në Prishtinë

Prishtinë | 07 Dhj 2020 | 08:29 | Nga Ekonomia Online

Tre persona kanë ndërruar jetë gjatë së dielës në Prishtinë në rrethana tragjike. Një person është vrarë gjatë ditës në lagjen Dardania, një 54 vjeçare është gjetur e vdekur në shtëpinë e saj në kryeqytet, ndërsa, një 23 vjeçar i ka dhënë fund jetës duke u vetvarur në shtëpinë e tij në rrugën “Josip Rela”.

Tre ngjarje tragjike kanë ndodhur në ditën e fundit të javës në Prishtinë.

Një person është vrarë dje në lagjen “Dardania”. Sipas Policisë, i dyshuari dhe viktima kanë qenë brenda të njëjtës veturë dhe i dyshuari nga mbrapa ka shtënë me armë zjarri në viktimën, mashkull i cili për pasojë ka humbur jetën.

Policia ka bastisur banesën e të dyshuarit por i njëjti nuk ishte gjetur aty.

Rastin e kanë konfirmuar gjatë ditës nga Policia e Kosovës me anë të një njoftimi për media.

“Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është konstatuar se bëhet fjalë për vrasje dhe ngritur dyshimi se i dyshuari dhe viktima kanë qenë brenda të njëjtës veturë dhe i dyshuari nga mbrapa  ka shtënë me armë zjarri në viktimën, mashkull i cili për pasojë ka humbur jetën”, thuhej mes tjerash në njoftimin e Policisë.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka thënë se është bastisur banesa e të dyshuarit.

Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim shtetasin e Turqisë, Atila Yaldirim, 53 vjeçar, i cili dyshohet për vrasjen e një personi në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Policia ka kërkuar nga qytetarët që kanë informacione lidhur me vendndodhjen e personit të kërkuar ta njoftojnë policinë në numrin 192

“Referuar rastit të vrasjes që ka ndodhur sot rreth orës 12:00 ne rrugën “Bekim Fehmiu” në Prishtinë. Drejtoria Rajonale e Policisë – Prishtinë, pas identifikimit të personit të dyshuar me autorizim të Prokurorisë së shtetit, shpallë në kërkim personin e dyshuar; ATILA YALDIRIM (1967), shtetas i Turqisë. Duke i falënderuar qytetarët për bashkëpunimin e vazhdueshëm, në veçanti për këtë rast, po ju përcjellim fotografinë e pesonit të dyshuar dhe kërkojmë nga të gjithë ata që kanë informacione lidhur me vendndodhjen e personit të kërkuar ta njoftojnë policinë në numrin 192″, thuhet në komunikatën e Policisë.

Rreth orës 12:00 të ditës së djeshme, policia ka njoftuar se një grua është gjetur pa shenja jete në Prishtinë.

Sipas Policisë, bëhet fjalë për një 54 vjeçare e cila kishte jetuar e vetme.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Rreth orës 12:00 është marrë informata se në rrugën ” Hasan Prishtina ” në Prishtinë një person që jeton e vetme ka kohë që nuk është vërejtur të del nga shtëpia. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe nga informacionet e marra nga dëshmitarët është ngritur dyshimi i arsyeshëm se viktima një femër 54 vjeç është pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes janë ftuar  njësitë ekzaminuese të policisë, prokurori i shteti, mjekësia ligjore si dhe ekipet e mjekësisë emergjente të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës”, tha Borovci.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion, përderisa për  rastin  policia ka filluar një hetim për vdekje në rrethana të dyshimta.

Pak orë më vonë ndërkaq, policia ka njoftuar se një 23 vjeçar ka kryer vetëvrasje në Prishtinë.

Policia ka njoftuar se ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e viktimës në rrugën “Josip Rela” në Prishtinë.

Rastin e ka konfirmuar  zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Rreth orës 18:00 është marrë informata dhe policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes. Mbështetur në këqyrjen e vendit të ngjarjes si dhe informacionet e marra nga dëshmitarët, të gjitha sugjerojnë për dyshimet  që viktima një mashkull 23 vjeç të jetë vet varur. Ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e viktimës në  rrugën “Josip Rela” – Prishtinë Në vendin e ngjarjes janë ftuar  njësitë forenzike të policisë, specialist për trajtimin e rasteve të tilla si dhe ekipet e mjekësisë emergjente të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Aktualisht po trajtohen të gjitha rrethanat që karakterizojnë ngjarjen për ndriçimin e plotë të saj”, ka thënë Borovci.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme