Tre te arrestuarit për krimin në Gllogjan dalin për herë të parë para Gjykatës në orën 16:00

Prishtinë | 12 Dhj 2021 | 12:13 | Nga Ekonomia Online

Tre personat që u prangosën mbrëmë lidhur me vrasjen e trefishtë që kishte ndodhur më 26 nëntor në Gllogjan të Deçanit do të dalin sot para gjykatës.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Pejës, Tringa Zhuti. Ajo tha se seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit do të mbahet sot në orën 16:00, raporton gazeta Express.

“Sot në ora 16:00 është caktuar seanca dëgjimore për caktim të paraburgimit”, tha Zhuti.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj, mbrëmë vetëm ka konfirmuar arrestimin e tre personave, por nuk ua ka dhënë mundësinë gazetarëve që të pyesin mbi dyshimet për motivin e vrasjes së shoferit të autobusit Gani Gjokaj dhe dy nxënësve Ledion Hamzaj dhe Genta Mustafaj, duke thënë se “për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të marrin pyetje”.

“Pas ndodhjes së rastit kemi filluar hetimet intensive me ndihmën e Prokurorisë së Shtetit. Pas punës intensive janë arrestuar tre persona me dyshimin se kishin kryer veprën penale të vrasjes së rëndë. Prokuroria i ka ndaluar për 48 orë”, u shpreh Kurmehaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme