Tri sfidat e mëdha të romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve

Prishtinë | 30 Sht 2019 | 07:44 | Nga Ekonomia Online

Benjamini mezi i lidh shkronjat në rrokje. Mësimi i shkrimit dhe i leximit është sfida më e vështirë me të cilën po përballet sivjet. Thotë se askush nuk ishte marrë me të gjatë atyre dy vjetëve sa shkoi në shkollë. Edhe ashtu nuk ishte i rregullt, para se përfundimisht ta braktiste shkollimin. Do t’i bashkohej babait që mblidhte materiale metalike e plastike.

“E kur i bana pesëmbëdhjetë vjet, ia nisa me shku me babën m’i nimu me pre dru me sharrë e m’i ça”, thekson Benjamini nga Fushë-Kosova. 22-vjeçari nga komuniteti rom është baba i dy fëmijëve. Ishte martuar pa i mbushur shtatëmbëdhjetë vjet. Tani ëndërron botën perëndimore. Kjo është arsyeja kryesore pse mësoi në moshë madhore shkrimin e leximin, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sikurse ai janë edhe shumë anëtarë të tjerë të pakicave rome, ashkalike dhe egjiptiane. Braktisja e shkollimit, martesat e hershme dhe shkalla e lartë e papunësisë në mesin e këtyre komuniteteve janë shqetësimet më të mëdha, thonë përfaqësuesit e tyre. Këtë e vërtetojnë edhe raportet vendore e ndërkombëtare të institucioneve e organizatave joqeveritare.

Anëtarët e intervistuar të këtyre pakicave nuk presin ndryshime të mëdha as pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit. Madje i akuzojnë përfaqësuesit e tyre për krijimin e shumë partive politike me shtrirje lokale, sa për të realizuar interesat personale e familjare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme