Tusk vizitë zyrtare në Ballkanin Perëndimor, takohet edhe me Thaçin

Prishtinë | 21 Pri 2018 | 10:12 | Nga

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk nga 24 deri më 27 prill do të bëjë një vizitë zyrtare në vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Mesazhi për miqtë tanë është i qartë: Bashkimi Evropian është dhe do të vazhdojë të jetë partneri më i  besueshëm për të gjithë rajonin”, ka thënë Tusk para vizitës së tij.

Presidenti i KE-së gjatë vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor, do të vizitojë Tiranën, Podgoricën, Beogradin, Sarajevën dhe Shkupin, transmeton lajmi.net.

Qëllimi i vizitës së tij është për t’u përgatitur për samitin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor më 17 maj në Sofje, si dhe pjesëmarrjen në samitin rajonal në kuadër të Brdo-Brion në Shkup.

“Mesazhi për miqtë tanë është i qartë: Bashkimi Evropian është dhe do të vazhdojë të jetë partneri më i besueshëm për të gjithë rajonin si investitori më i madh, donatori më i madh, tregu më i madh tregtar dhe premtimi më i mirë për një të ardhme më të mirë për qytetarët e BE-së, andaj samiti i Ballkanit Perëndimor në Sofje duhet të konfirmojë perspektivën evropiane të rajonit dhe më e rëndësishmja, do të përmirësojë në mënyrë specifike marrëdhëniet me rajonin dhe vetë rajonin”, ka thënë Tusk.

Ai gjatë vizitës së tij në rajon do të takohet me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, presidentin e Malit të Zi, Dushko Markoviq, anëtarët e presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Dragan Çoviq, Mladen Ivaniq dhe Bakir Izetbegoviq dhe kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev.

“Të gjitha këto takime do të jenë një mundësi e rëndësishme për përgatitje për Samitin e ardhshëm të shefave të shteteve ose qeverive të BE-së dhe liderët e Ballkanit Perëndimor në Sofje më 17 maj. Ajo gjithashtu do të jetë një mundësi për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe me Bashkimin e Evropiane”, ka njoftuar Këshilli Evropian në Bruksel.

Të ngjashme