U mbajt Akademia Përkujtimore në 19 vjetorin e Betejës të Loxhës

Prishtinë | 06 Kor 2017 | 16:17 | Nga

Nën patronatin e kryeministrit në detyrë, Isa Mustafa, u mbajt Akademi Përkujtimore me rastin e nëntëmbëdhjetë vjetorit të Betejës së Lavdishme të Loxhës, rënies së Luftëtarëve të Lirisë, Rrustem Bruqi, Lumni Surdulli, Enver Alaj si dhe përkujtimi për Komandantin e Zonës së III-të Operative të Dukagjinit, Kolonel Tahir Zemajn.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin drejtues të lartë të institucioneve, ministra, deputetë, familjarë dhe bashkëluftëtarë të Heronjve Rrustem Bruqi, Lumni Surdulli, Enver Alaj dhe Kolonel Tahir Zemajt.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, foli për luftën e Lavdishme të Betejës së Loxhës, duke theksuar se Beteja e Loxhës shquhet për organizim ushtarak dhe bashkëpunim me banorët e Loxhës dhe të fshatrave përreth, prandaj sot, kjo betejë kujtohet në shkëlqimin e saj të plotë.

Kryetari Muhaxheri, ndër të tjera, tha se Beteja e Loxhës është sinonim i një fitoreje të arritur nga bashkërendimi i shkëlqyer i strategjisë së komandantëve ushtarak dhe ushtarëve të tyre.

“Për fat të keq, veprat e mëdha shpeshherë bëhen të kobshme për autorët e tyre. Shuarja e parakohshme e Kolonelit Tahir Zemaj është fundi më absurd që mund të kishte një çlirimtar si ai, një Hero i Kosovës. Strategu i fitores në Betejën e Loxhës u vra në kohën e lirisë, në një pritë klasike, që i kishin vënë armiqtë e Kosovës, në fillim të janarit 2003. Bashkë me Tahirin u vranë edhe i biri i tij, Enisi, dhe kushëriri i tyre, po ashtu shumë i ri, aktivisti i devotshëm Hasan Zemaj. Për meritat e tij të jashtëzakonshme për lirinë dhe pavarësinë e vendit, si dhe të ndërtimit të institucioneve të Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës dekoroi në korrik të vitit 2010 Kolonel Tahir Zemajn me Urdhrin “Hero i Kosovës”, tha kryetari Muhaxheri.

Duke folur në emër të bashkëluftëtarëve, Faruk Xhemajli, udhëheqës i Betejës së Loxhës, njëherësh oficer i karrierës, i plagosuri i kësaj beteje, foli për luftën e lavdishme të komandantit Tahir Zemaj dhe ushtarëve të Betejës së Loxhës, si njëra prej betejave të para frontale e fituar kundër forcave serbe brenda territorit të Kosovës.

“Sot mua më rrinë përpara bashkëluftëtarët e vrarë dhe ata që u plagosën në këtë Betejë, por edhe komandanti ynë i vrarë pas luftës në Kosovë, kolonel Tahir Zemaj. Kujtojmë me dhimbje të thellë Rrustem Bruqin, Lumni Surdullin dhe Enver Alajn, bashkëluftëtarët e plagosur, mundin dhe përpjekjet e gjithë eprorëve dhe luftëtarëve trima të Brigadës 134”, tha Xhemajli.

Ai tha se Beteja e Loxhës, është një krenari, është një ngjarje e lavdishme e cila do të hyjë në histori me gjithë madhështinë e saj. “Ata që dhanë jetën në këtë betejë kanë hyrë në altarin e kombit për të mos vdekur kurrë”, tha Xhemajli, duke theksuar se UÇK-ja është nderi i kombit shqiptar, ndërsa Brigadat 134, 133, 131 do të mbeten krenaria e përhershme e UÇK-së.

Në emër të familjarëve të dëshmorëve, të pranishmit për pjesëmarrje i përshëndeti, dr. Sylë Bruqi, duke shprehur krenarinë për veprimtarinë e ushtarëve dhe të rënëve tjerë në luftën e lavdishme të Betejës së Loxhës.

Të ngjashme