U ndanë çmimet për mërgimtarin dhe gazetarin e vitit

Prishtinë | 03 Gus 2016 | 00:08 | Nga

Në kuadër të manifestimit “Dita e Diasporës”, sot në Prishtinë, Ministria e Diasporës mbajti ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Mërgimtari i vitit” dhe “Gazetari me shkrimin/kronikën ose emisionin më të mirë për diasporën”.

Në hapje të manifestimit ministri Murati pasi i përshëndeti të pranishmit tha: “Sot diaspora nuk është sikur ajo e disa dekadave më parë. Përveç përkrahjes financiare të cilën Kosova e merr çdo vit nga ajo, diaspora sot i ofron Kosovës edhe kapacitete njerëzore, profesionale, kulturore e shkencore. Prandaj është detyrë e jona si institucione që të vazhdojmë t’i forcojmë lidhjet me diasporën”.

Çmimi “Mërgimtari i vitit” iu jepet mërgimtarëve për sukseset e arritura në fushën e arsimit, kulturë, sport, biznes, veprimtari humanitare, si dhe për kontribut të veçantë për shtetin e Kosovës ose për diasporën.

Ky çmim, ndonëse nuk ka vlerë monetare, dëshmon vlerësimin e jashtëzakonshëm të Ministrisë për mërgimtarin, i cili me punën dhe veprimtarinë e tij ka kontribuar në promovimin, ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar, kulturor, gjuhësor, arsimor, si dhe të vlerave të përgjithshme të Republikës së Kosovës.

Çmimi për arsim iu dha Ermira Morinës (Mësuese në Greqi, ndër më të suksesshmet dhe shumë aktive në organizimin e mësimit plotësues të gjuhës dhe kulturës shqipe në Greqi.

Çmimi për sport: Arlind Ajeti (Futbollist i Kombëtares Shqiptare, më i spikaturi në “Euro 2016”).

Çmimi për biznes: Gani Nuha (Biznesmen në Gjermani, themelues dhe promotor i Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani, ndërsa aktualisht Sekretar. Gjatë vitit 2015 ka investuar mbi 10 milionë euro në krijimin e Hidrocentralit në Albanik, ku ka gjeneruar mbi 200 vende pune).

Çmimi për kulturë: Alketa Xhafa Mripa (Artiste, e cila bëri ekspozitën me veshjet e grave të dhunuara gjatë luftës në stadiumin e Prishtinës, ekspozitë kjo që bëri bujë në të gjitha mediet botërore. Jeton në Londër).

Çmimi “Mërgimtari i vitit” iu dha Drenusha Shalës (Themeluese e kompanisë “Baruti GMBH”, 26- vjeçare, e cila ka themeluar një biznes të shërbimeve në Prishtinë dhe ka punësuar brenda vitit mbi 300 punëtorë, duke u bërë kështu shembull i të rinjve shqiptarë të diasporës për sukseset në biznes dhe teknologji informative, si dhe duke kontribuar në atdhe me vende të reja pune).

Çmimi i nderit: Noel Malcolm (Historian, gazetar politik dhe akademik, kontribuues i madh i çështjes shqiptare dhe i bashkëpunimit me diasporën shqiptare në Angli.)

Çmimi post-mortem iu nda Aleksandër Stipçeviqit (i lindur në Arbanas të Zarës, ilirolog dhe kontribuues i jashtëzakonshëm i hulumtimeve të prejardhjes shqiptare).

Po ashtu, në këtë ceremoni u nda edhe çmimi “Gazetari me shkrimin/kronikën ose emisionin më të mirë për diasporën”.
Çmimi për emisionin më të mirë televiziv iu dha Valdete Osmanit, për reportazhin “Shemsi (Papi) Brahimi, një trajner i futbollit për fëmijë në Suedi.
Çmimi për shkrimin më të mirë në medie/portale iu dha Alban Hamzës, nga Albinfo” për reportazhin “Ardiani dhe vera e tij Norah që lindi nga dhimbja”.
Çmimi për kontribut të veçantë në promovimin e diasporës shqiptare iu dha gazetarit shumëvjeçar, njëherësh korrespodent i gazetës ”Dielli” në Amerikë, si dhe Radio-Rilindjes në Oslo të Norvegjisë.

Pas ndarjes, së çmimeve mbrëmja vazhdoi me performimin e bendit të RTK-së, Bardh Jakova&Spartiti per Scutare dhe të grupit “Zoria” nga Kroacia, të cilët kënduan këngë të zgjedhura shqiptare.

2

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme