U raportua se kishte dhënë dorëheqje, Ministri i Drejtësisë thotë se Driton Lajçit i ka skaduar mandati

Prishtinë | 03 Nën 2020 | 09:49 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka njoftuar sot se është takuar me ish-shefin e divizionit për Gjykatën Speciale, Driton Lajçin, raporton Gazeta Express.

Selimi në Facebook ka thënë se është takuar me Lajçin, pasi që i njëjti ka përfunduar mandatin.

Ai thotë se e ka falënderuar Lajçin për kontributin e dhënë në fushën e drejtësisë.

“Prita në takim Driton Lajçin me rastin e përfundimit të mandatit të tij, të cilin e falënderova për kontributin e dhënë në fushën e drejtësisë, ku shërbeu me integritet dhe profesionalizëm. Dritoni, një aktivist i kahmotshëm i çështjes shqiptare edhe njëherë dëshmoi se qëndron besnik ndaj shtetit”, ka shkruar ai.

Ditë më parë në media është raportuar se Lajçi ka dhënë dorëheqje nga pozita që mbante.

Lajçi ishte intervistuar më 17 tetor 2019 nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë, për pengimin e mundshëm të drejtësisë, përfshirë edhe pretendimet për shkelje të neneve të Kodit Penal të Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me pengimin e provave ose procedurave zyrtare dhe frikësim gjatë kryerjes së procedurës.

Lajçi ishte mbrojtur në heshtje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme