UBT promovon librin “E drejta penale ndërkombëtare” të Ismet Salihut

Prishtinë | 22 Sht 2016 | 14:27 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjykata Speciale paraqet një re të zezë për Kosovën. Ajo mund të mënjanohet vetëm pas përfundimit gjykimit të krimeve të pretenduara, shumica prej të cilëve u atribuohen pjesëtarëve të UÇK-së, në bashkëpunim me mafian ndërkombëtare.

Këtë konstatim, e ka nxjerr profesori i të drejtës penale ndërkombëtare, Ismet Salihu, me rastin e promovimit të librit “E drejta penale ndërkombëtare – Me komentarin e shkurtër të Ligjit për Gjykatën Speciale”, të enjten në UBT.

Në promovim kanë marrë pjesë personalitete të shquara të fushës juridike, profesorë, studentë etj. Salihu, pos të tjerash, ka thënë se puna e Gjykatës Speciale do të jetë një proces i rëndë, por i domosdoshëm. Sipas autorit Salihu, Gjykata Speciale do t’i gjykojë krimet e pretenduara nga Raporti i Asamblesë Parlamentare në Këshillin e Evropës, që në opinionin e Kosovës është i njohur se Raporti i senatorit Dick Marty. Pasi ka përshkruar ecurinë e përgjithshme të themelimit të Gjykatës Speciale dhe për dyshimet e shprehura në Kosovë, sidomos nga partitë opozitare, Salihu është shfaqur i bindur se Gjykata Speciale asnjeri nuk do ta dënojë pa prova. “Përgjegjësia e kësaj gjykate do të jetë e madhe, mirëpo askush nuk do të dënohet pa prova e fakte”, tha Salihu.
Profesori i të drejtës penale, Salihu, ka përmendur faktin se pas luftës së Kosovës janë vrarë qindra veta.

“Në mes periudhës së viteve 1998-2000 janë ekzekutuar dhe zhdukur 470 persona, prej të cilëve, 95 janë shqiptarë, kurse të tjerët janë të pakicave të tjera, kryesisht serbë”, është shprehur ai, duke dhënë të kuptohet se dikush i ka bërë ato krime.

Për rëndësinë e librit ka folur edhe rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi.

“Libri shënon një hap tutje drejt marrjes së njohurive në fushën e të drejtës penale ndërkombëtare, është vlerë e shtuar akademike, si për
studentët, ashtu edhe për profesorët, të cilët janë ligjërues të lëndës përkatëse”, përfundoi Hajrizi, duke falënderuar profesor Salihun për kontributin e tij në fushën e drejtësisë.

Referuesi i librit, Lavdim Krasniqi, ndërkaq, ka folur për biografinë dhe krijimtarinë e autorit të librit, të cilën e ka cilësuar si shumë të bujshme.

“Libri është i vlefshëm, jo vetëm për autorin, por për të gjithë njohësit e fushës”, theksoi ai, për të shtuar se libri përmbledh refleksione të
jashtëzakonshme profesionale.

Profesori Skender Skenderi, po ashtu, e çmoi lart kontributin e autorit Salihu, derisa evokoi kontributin e tij dhe të profesorëve të tjerë të çështjeve juridike, të dhënë me rastin e shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 2 korrik 1990 si dhe për Kushtetutën e Kosovës, e miratuar në të njëjtin vit, më 7 shtator në Kaçanik. Në këtë rrafsh ai ka zënë ngoje edhe profesorët Gazmend Zajmi, Ejup Statovci etj.

“Pa punën e mundimshme dhe të palodhshme të profesorit Salihu dhe kolegëve të tij, në atë kohë nuk do të kishte as Kuvend, as Kushtetutë dhe as pavarësi”, theksoi Skenderi. Kjo sepse, sipas tij, nuk do të kishte për çka të votohej. Skenderi e ka cilësuar lart edhe presidentin dhe rektorin e UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizin, i cili ka mundësuar botimin e një libri me kaq vlera, nga një personalitet shumë i lartë.

“Zoti President, je i madh, sepse njerëzit e mëdhenj i mbledhin të mëdhenjtë”, janë fjalët me të cilat profesor Skenderi i është drejtuar rektorit Hajrizi.

Krejt në fund, profesori Salihu iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve, të cilët kryesisht përqendroheshin tek Gjykata Speciale.

Të ngjashme