UGSh ndan çmimet “Vangjush Gambeta” për gazetarët e ekonomisë

Prishtinë | 10 Nën 2017 | 12:57 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSh) ka ndarë çmimet “Vangjush Gambeta” për gazetarët e ekonomisë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia.

Me këtë rast, UGSh nderoi me çmimin “Karriera”, post mortum, Andrea Stefanin dhe Ramiz Kelmendin, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri Ramush Haradinaj ua dorëzoi çmimin familjarëve të shkrimtarit, publicistit dhe gazetarit tashmë të ndjerë Ramiz Kelmendi, i cili u cilësua si përfaqësues dhe kontribuues në shumë gjurmë për më tepër se 60 vjet në gazetarinë shqiptare dhe themelues i shkollës së parë të gazetarisë shqiptare në periudhën e pas okupimit në Kosovë.

“Ramizin e kam njohur dhe e kam pasur mik, kam kaluar shumë kohë të mirë së bashku, ai ka qenë i ri në shpirt”, tha kryeministri me rastin e ndarjes së këtij çmimi.

Po ashtu, në këtë ceremoni kryeministri Haradinaj tha se është një mundësi që t’i bashkohet diskutimit për ekonominë dhe informalitetin.

Nga Kosova me këtë çmim u shpërblye redaktori i ekonomisë në gazetën “Zëri”, Enis Veliu; nga Shqipëria gazetarja Blerina Hoxha dhe nga Maqedonia gazetarja Evis Halili.

Për emisionin më të mirë ekonomik çmimin e mori Vjollca Kongjoni; kurse çmimin reporterja e vitit e mori Alma Quti.

Kryetari i UGSH, Aleksandër Çipa duke përshëndetur të pranishmit tha se ky është edicioni i nëntë i ndarjes së çmimeve “Vangjush Gambeta” i cili i kushtohet gazetarit me të cilin lidhet filet e një gazetarie ambicioze ekonomike dhe i cili për arsye politike internohet nga viti 1974 deri më 1989.

Ambasadori Kent Braun, përfaqësues i JTI tha se janë prezent në këtë ceremoninë sepse ndajnë të njëjtat qëndrime me qeveritë dhe publikun e rajonit përderisa i takon nevojës për të luftuar “ekonominë gri” në të gjitha aspektet e saj.

“Në mbështetje të sundimit të ligjit, JTI është plotësisht e vendosur të luftojë kundër infomalitetit. Suksesi i Kosovës kërkon kontroll të plotë tregut duke luftuar tregun ilegal të çdo produkti, të cilat nga ana e tyre ushqejnë korrupsionin dhe krimin e organizua”, tha ambasadori Kent.

Të ngjashme